Policia spanjolle ka arrestuar dy shtetas shqiptarë në Cadiz, pasi u kapën duke ruajtur një sasi prej një ton kanabisi. Mësohet se të dy shqiptarët mbanin pushkë automatike të njohura si Kallashnikov (AK-47) dhe ndodheshin në një shtëpi në zonën Pelayo, në Algeciras.
Sipas policisë spanjolle, droga kishte mbërritur në Cadiz nëpërmjet plazheve në Algeciras dhe Tarifa, ku kishin mbërritur edhe anijet e drogës që transportonin ngarkesën e kanabisit të mbajtur nga shqiptarët e arrestuar.

Aksioni policor është rezultat i një hetimi paraprak që bëri të mundur gjetjen e një prone të përdorur nga organizata kriminale si " çerdhe ", një term i përdorur në zhargonin e policisë për t'iu referuar vendeve të destinuara për të fshehur dhe ruajtur sasi të mëdha droge.
Policia njoftoi gjithashtu se dy individë me origjinë shqiptare, përgjegjës për ruajtjen e depove, kishin tre pushkë Kallashnikov të mbushura, në gjendje të përsosur pune dhe me kapacitet të menjëhershëm për të hapur zjarr.
Dy shqiptarët u sollën para Gjykatës së Detyrës së Algecirasit mëngjesin e 9 janarit ku u urdhërua dhe burgosja e tyre.
Lini një Përgjigje