
Gjykata e Fierit ka lënë në burg Albi Mecinin. Ai u kap ditën e djeshme me 21.4 kg eksploziv ndërsa dyshohet se do kryente një atentat. Mecini gjithashtu është një ndër të dyshuarit kryesor si autor i zhdukjes së dy miqve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.
Mecini u arrestua dje (30 gusht 2023) në aksin “Mbrostar-Fier”, me 2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të Mecinit.
Përmes inteligjencës informative, blutë kishin të dhëna se do të kryhej një atentat me tritol ndaj një personi me rekorde kriminale që ushtron aktivitetin e tij në Fier, identitetin e të cilit policia nuk e tregon për shkak të hetimeve.
Por para hetuesve Mecini, i cili njihet dhe si miku i të dënuarit me burg përjetë Admir Tafili, nuk ka dhënë asnjë detaj se kush do të ishte personi që do të ekzekutonin dhe as detaje për porositësin.
Në lidhje me këtë çështje do të pyetet sërish nga trupa gjykuese në lidhje me gjetjen e sasisë së madhe të lëndës plasëse artizanale.
Gjatë kontrollit të djeshëm policia gjeti dhe një tjetër automjet, brenda të cilit ishin 3 bidonë me benzinë dhe dy karta ID, të Arafat Manërkollit, 27 vjeç, nga Dibra, dhe Ervis Cukalin, 25 vjeç, nga Tirana. Këta u shpallën në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen të cilën ishin nisur ta kryenin por mbeti në tentativë. Mendohet se makina ku u gjetën bidonët me benzinë do të përdorej për të asgjësuar gjurmët pas atentatit që u parandalua.
Lini një Përgjigje