
Është publikuar fotoja e 24-vjeçares palestineze, Rayyan Alwan e cila u gjet e vrarë ditën e djeshme në një apartament me qira në Tiranë.
Më 19 shkurt, ora 15:00 e reja shfaqet duke hyrë në Shqipëri nga aeroporti i Rinasit. Rayyan është e shoqëruar me Fadi, që është bashkëshorti dhe për policinë është edhe i dyshuari kryesor dhe i vetmi që akuzohet se e masakroi me një thikë të renë.
Të dhënat hetimore tregojnë se çifti për dhjetë ditë morën me qira një banesë përmes Airbnb, ndërsa kishin udhëtuar nga Berlini drejt Shqipërisë si turistë.
Në dëshminë e pronares së shtëpisë, ata të dy u përshkruan si një çift nga Lindja e Mesme që flisnin gjermanisht dhe arabisht. Gruaja e cila ju dha çelësat nuk vërejti asgjë të dyshimtë. Por nëntë ditë më vonë, më 27 shkurt dëshmitarja telefonoi policinë e shqetësuar për heshtjen që kishte vërejtur në apartamentin ngjitur.
Dinamika e krimit siç beson policia ka ndodhur mes 19 shkurtit dhe 22 shkurtit. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se 49-vjeçari, pas kryerjes së krimit, u largua nga banesa më 22 shkurt dhe, po këtë ditë, është larguar në mbrëmje nga Rinasi drejt Greqisë.
I shoqi që dyshohet se e goditi barbarisht përpara se të dilte prej andej kishte fshirë çdo gjurmë.
Nga të dhënat e mbledhura rezulton se i dyshuari është larguar përmes Greqisë drejt Amsterdamit. Fadi Alwan pritet të shpallet në kërkim ndërkombëtar për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, ndërsa mjekësia ligjore do të vërtetojë shkencërisht se kur u vra Rayyan.
Lini një Përgjigje