Davide Pecorelli, biznesmeni italian që inskenoi vdekjen e tij në Pukë për t’i shpëtuar borxheve, do të ekstradohet në Shqipëri.
Gjykata e Apelit e Perugias i dha dritën jeshile në maj të vitit të kaluar ekzekutimit të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar më 2 Tetor 2022 nga gjykata e Shkodrës, e cila e dënoi me 4 vite burg pas akuzave për mashtrim, zjarrvënie dhe shpifje. Por të premten, ministri i Drejtësisë Carlo Nordio ka miratuar përfundimisht ekstradimin e tij në Shqipëri.
Biznesmeni ka folur për "Il Messaggero Umbria", ndërsa tha se nuk do ta apelojë vendimin.
"Vendimi i ministrit më befason. E pranoj, por jam seriozisht i shqetësuar për katër fëmijët e mi, dy prej të cilëve janë të mitur, babai im 90-vjeçar dhe vëllai im 60-vjeçar, të dy me aftësi të kufizuara. Po mendoj të mos apeloj në TAR të Lacios, duke qenë se probabiliteti i ulët i suksesit, preferoj të shkoj në Shqipëri", u shpreh ai.
Biznesmeni do të merret në paraburgim nga policia shqiptare dhe do të transferohet në burg, ku mund të vendoset një dënim alternativ gjatë 48 orëve të para të paraburgimit, në pritje të procesit të apelimit.
Por pavarësisht nga të gjitha këto, jeta e Pecorellit ndërkohë ka marrë një tjetër kthesë: ai është martuar me një shtetase shqiptare, merret me mallra luksi dhe kërkon të marrë nënshtetësinë e vendit ballkanik. Por fillimisht duhet të zbardhen detajet e dënimit me 4 vite dhe ekstradimit.
Si e inskenoi zhdukjen?
Biznesmeni u zhduk në janar të 2021 në Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare ngritën alarmin për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë. Kur të gjithë e dinin të vdekur, Davide Pecorelli, u shfaq në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë me vete edhe 'historinë' se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur. "Po kërkoja një thesar". tha ai, deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij.
Në prill të vitit 2024 Gjykata e Shkodrës e dënoi me 4 vite burg Davide Pecorellin duke e shpallur fajtor për "Mashtrim" në bashkëpunim, "Dhunimi i varreve" "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" e "Shkatërrimi i pronës me zjarr".
Lini një Përgjigje