
Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Shkallës së parë, për uljen e dënimit me 1 vit të Dritan Dajtit.
Vendimi është marrë ditën e sotme, pas kërkesës së bërë nga Dajti që në vitin 2016.
Dajti u dënua me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009.
Fillimisht Dajti ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm por iu hoq nga gjyqtarët Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli. Tre gjyqtarët firmosën pro heqjes së burgimit të përjetshëm për Dajtin, duke argumentuar se sipas ligjit i takon.
Në korrik të vitit 2014, pas 278 seancash, Dritan Dajti u dënua me 4 burgime të përjetshëm nga gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj. Por Dajti e apeloi vendimin.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e ktheu sërish Dritan Dajtin që të rigjykohet në shkallën e parë, me pretendimin se janë konstatuar shkelje proceduriale.
Procesi gjyqësor në ngarkim të Dritan Dajtit në Gjykatën për Krimet e Rënda e vuri në pozita të vështira sistemin e drejtësisë për vite me radhë. Pas zhvillimit të disa seancave, ku u pyetën dëshmitarët e akuzës, procesi u bllokua. Avokati mbrojtës i Dajtit hoqi dorë nga mbrojtja. Në vijim gjykata përballej me kërkesën e të pandehurit për caktimin e një avokati kryesisht. Ndonëse në çdo seancë gjykata caktonte dy avokatë kryesisht për të pandehurit, asnjëri prej tyre nuk e merrte përsipër mbrojtjen e Dajtit.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e gjendur në atë kohë përballë një situate të pandodhur më herët, duke vendosur një dënim të padhënë më parë në drejtësinë Shqiptare. Dajti u dënua me katër burgime të përjetshme, aq sa efektiv policie kishin humbur jetën gjatë aksionit të zhvilluar për kapjen e tij pranë pistës, “Iliria” në plazhin e Durrësit.
Lini një Përgjigje