
Ndalimi nga policia i vëllait të deputetit të Partisë Socialiste Eduard Ndreca, Armando Ndreca, i dyshuar si i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në Kashnjet të Lezhës, u konsiderua i paligjshëm nga gjykata, pasi sipas saj u bë pa prova bindëse.
Report Tv ka siguruar vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lezhës, me argumentet që nxorën nga qelia Ndrecën. Nga hetimet e prokurorisë, nga këqyrja e telefonit të të arrestuarit Elis Shpellzaj është gjetur i regjistruar numri i telefonit anglez +447426932098 me emrin “Bellanoca” dhe ky numër, sipas informacioneve të grumbulluara nga policia, i përket Armando Ndrecës, por në vendim thuhet se nuk është arritur të provohet diçka e tillë.
Sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se Ndreca ka pasur telefonata edhe me një tjetër të arrestuar në flagrancë për kanabisin, Armel Nikdukaj, në telefonin e të cilit ka pasur thirrje me Armando Ndrecën, gjithashtu dhe nga informacionet e mbledhura nga policia gjyqësore janë krijuar dyshime se vëllai i deputetit ka qenë i përfshirë, por sërish nuk rezulton se janë paraqitur prova konkrete, por pavarësisht kësaj gjykata ka vlerësuar se jemi në një fazë shumë të hershme të hetimeve paraprake ku mjaftojnë indiciet apo të dhënat që mund të krijojnë arsye për të dyshuar se i ndaluari të ketë kryer veprën për të cilën akuzohet.
Gjykata, në arsyetimin e vendimit thekson faktin se fillimisht kërkesa me shkrim e prokurores Irena Sufaj është paraqitur për të vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”, por në seancën gjyqësore prokurorja ka ndryshuar qëndrim duke kërkuar "detyrim paraqitje".
Ndryshimin e qëndrimit prokurorja Sufaj mësohet se e ka justifikuar me arsyen se nga hetimet e deritanishme nuk kanë rezultuar prova që të justifikojnë vendosjen e një mase sigurimi më të rëndë, si dhe me justifikimin tjetër se ka qenë një kohë e shkurtër dhe për këtë nuk janë administruar nga organi i akuzës disa prova, siç janë transkriptimet e përgjimeve të realizuara nga policia për këtë procedim.
Në këtë aspekt, sipas vendimit të gjykatës, rezulton se ka qenë vetë prokurorja e çështjes, e cila në seancë ka ndryshuar qëndrim, duke vlerësuar përpara gjykatës se nuk ka prova të mjaftueshme dhe masa duhej ndryshuar.
Duke parë qëndrimin e prokurores dhe provat e paraqitura prej saj, gjyqtarja Edlira Çota vlerësoi të paligjshëm ndalimin e Armando Ndrecës, pasi nuk plotësohen kushtet dhe kriteret e këkuara nga ligji si dhe caktoi masën “detyrim paraqitje" një herë në dy javë./ Shqiptarja.com
Lini një Përgjigje