
Një turist holandez është marrë nga rrjedha e lumit në Osum këtë pasdite, ndërsa tre turistë çekë janë bllokuar në malin e Jezercës.
Dy turistë holandezë u futën për të notuar në kanionet e lumit Osum por njërin prej tyre e ka marrë rrjedha dhe janë angazhuar polumbarët për ta gjetur.
“Më datë 08.05.2023, në spitalin e Çorovodës, është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasja holandeze H. (V. A.) C. S., 64 vjeçe, e cila paraprakisht ka deklaruar se së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin J. A. S., 68 vjeç, ishin futur për të notuar në kanionet e lumit Osum. 64-vjeçarja ka mundur të dalë nga lumi, ndërsa bashkëshortin e saj e ka marrë rrjedha e ujit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, ato të DVP Berat, si dhe shërbimet zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në kanion dhe po vijojnë kërkimet në lumin Osum”, tha policia.
Ndërsa sa i takon turistve të bllokuar, ministri Niko Peleshi, me një postim në Facebook, thotë se gjendja e tyre shëndetësore është e mire, ndërsa po ndihmohen nga efektivët e misionit SAR.
“Helikopteri Cougar, me personel të kërkim shpëtimit kanë shkuar në ndihmë të 3 turistëve çekë që kanë mbetur të bllokuar në malin e Jezercës. 3 turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa po ndihmohen nga efektivët e misionit SAR”, shkruhet në postim.
Lini një Përgjigje