
Procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut vijon me kërkesa të reja nga mbrojtja, ndërsa ai përballet me akuza për një seri veprash të rënda penale.
Avokatët e tij paraqitën në gjykatë një listë me 60 persona që kërkojnë të dëshmojnë gjatë shqyrtimit të çështjes. Haxhiu gjykohet veçmas për 14 episode kriminale, ku përfshihen vrasje, atentate, shpërthime me eksploziv dhe grabitje me armë.
I pandehuri, i cili ndodhet në institucionin e sigurisë së lartë në Drenovë, nuk ishte i pranishëm fizikisht në seancë.
Për një nga ngjarjet që lidhet me vendosjen e tritolit në një biznes në Durrës, mbrojtja kërkoi që të dëshmojnë edhe Bashkim Rajku dhe Kleviol Ahmetaj, i njohur si “Cllevio”, i cili u ekstradua nga Dubai disa muaj më parë.
Nga ana tjetër, prokuroria kërkoi që procesi i administrimit të provave të nisë me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, i cili ka dhënë informacione kyçe për aktivitetin e grupit.
Seanca e radhës është caktuar më 29 prill në orën 08:30, ku pritet përballja mes Haxhiut dhe ish-bashkëpunëtorit të tij.
Lini një Përgjigje