Ditën e sotme në orët e para të mëngjesit një sasi lëndë plasëse ka shpërthyer në derën e banesës së Muhamet Dukës, që ndodhet në katin e katërt të një pallati në zonën e Freskut në Tiranë.
Si pasojë e këtij shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale, ndërsa Muhameti është babai i Elis dhe Leonard Dukës, ky i fundit njihet si drejtuesi i klanit “Duka”.
Leonard Duka aktualisht ai ndodhet i arrestuar në Belgjikë, në pritje të procedurave për ekstradim.
Muhamed Duka nuk jetonte në atë banesë që prej 4 vitesh, pra shtëpia ka qenë bosh gjatë shpërthimit, megjithatë ai ja kishte lënë dikujt për ta mbikqyrur, i cili në atë moment nuk ndodhej në banesë.
'Blutë' e Tiranës janë duke kërkuar për ta marrë në pyetje përgjegjësin që kishte lënë 65-vjeçari për t'i ruajtur banesën në zonën e 'Freskut'.
Janë pyetur vetëm banorë të pallatit dhe fqinjë, por asnjë nuk ka dhënë dëshmi të vlefshme pasi kanë deklaruar se kanë qenë në gjumë dhe kanë dëgjuar vetëm shpërthimin e fuqishëm.
Autoritetet mësohet se kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë e pallat, me shpresën se do të mund të identifikojnë autorët.
Po ashtu, mësohet se familja Duka kishte lënë një person që vinte herë pas here për të kontrolluar banesën. Ndaj dhe pritet që ky i fundit të merret në pyetje, pasi të identifikohet.
Sa i përket bashkëshortëve Duka, ata nuk dihet ku ndodhen.
Pistat ku po heton policia
Përveç pistës si një mesazh paralajmërimi, Policia dyshon se ngjarja mund të jetë edhe e stisur, nisur kjo nga arrestimi i Leonard Dukës në Belgjikë pak javë më parë dhe si një përpjekje për të mos u ekstraduar mund të jetë përdorur kjo taktikë.
Leonard Duka njihet si rivali më i madh i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Më 14 shkurt të këtij viti, u arrestua nga autoritetet belge në Bruksel pasi iu gjend armë zjarri në banesë dhe një sasi e konsiderueshme parash. Duka akuzohet se ka gisht në vrasjen e Santiago Malkos, i vrarë më 27 gusht 2019, mik i afërt i të zhdukurit Ervis Martinaj.
Armiqësia mes grupeve nisi në vitin 2019 me vrasjen e Santiago Malkos, njeri i besuar i Martinajt.
Ervis Martinajt prej kohësh është i zhdukur dhe nuk dihet asgjë rreth tij, por kjo është ngjarja e dytë pas atentatit ndaj Fation Muratit, që tregon ose për një rikthim të tij, ose për një hakmarrje të miqve të tij.
Nga ortakë në armiq: Historia e përplasjeve të përgjakshme mes Dukajve dhe Martinajt
Emri i Dukës është shumë i njohur për drejtësinë, por edhe për publikun shqiptar. Ai është arrestuar në vitin 2019 nga një super operacion për luftën kundër trafikut të drogës. Ai ka qenë në kërkim edhe një atentat të dështuar më parë.
Grupi ‘Duka’ ka qenë i skeduar si grup i strukturuar i trafikut të drogës Shqipëri-Gjermani. Por për mediat, Duka është i njohur edhe si i dashuri i miss-it, Trejsi Sejdini. Edhe pse është përpjekur që ta mbajë sekrete këtë histori dashurie, mediat, përfshirë edhe ato ndërkombëtaret duket se e kanë përmendur emrin e 20-vjeçares. Leonard Duka quhej nga miqtë e tij si “Princi Damian”, një pseudonim e cila sipas tij reflekton luksin dhe jetën e shtrenjtë.
Armiqësia e Dukës me Ervis Martinajn ka tërhequr më së shumti vëmendjen.
Kreu i klanit “Duka” dhe Martinaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht dhe u përfshinë në një konflikt pikërisht prej këtij aktiviteti disa milionësh. Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës. Pas kësaj, ishte radha e Dukës që të merrte hak ndaj Martinajt, fillimisht duke dashur ta eliminojë atë fizikisht, por pasi dështoi, i ekzekutoi krahun e tij të djathtë, Santiago Malkon.
Që nga viti 2019 ndaj tij janë planifikuar dhe tentuar disa atentate, por në të gjitha rastet ai ka mundur që të shpëtojë falë intuitës personale, por më shumë si një njeri që dispnon informacion të dorës së parë nga brenda policisë dhe vetë organizatave kriminale që kërkojnë eliminimin e tij. Në vitin 2019 ka pasur një plan konkret për eliminimin e Ervis Martinajt. Sipas dosjes në SPAK Klani Duka mundi që të rekrutojë një shtetase me inicialet N.SH e cila në atë kohë punonte në një agjenci turistike dhe kishte informacion të detajuar për lëvizje dhe fluturimet e Martinajt nga Shqipëria në drejtim të vendeve të ndryshme të BE. Këto informacione bashkë me të fejuarin e saj i vuri në dispozicion të klanit Duka kundrejt një shume prej 30 mijë euro. Sipas të dhënat në të njëjtën dosje, Leonard Duka, nuk arriti dot ta eliminonte fizikisht Ervis Martinajt dhe sipas SPAK ekzekutoi krahun e tij të djathtë Santiago Malko.
Në vazhdën e kësaj gjuetie ndaj milionerit, Vis Martinaj, i cili që nga mbyllja e basteve sportive ka bërë një jetë të tërhequr në zonat rurale të largëta në aksin Laç-Lugina e Patokut, kundërshtarët e tij kanë mundur që të eliminojnë deri më tani disa nga njerëzit më të afërt të tij ndërkohë që vetë Martinaj është zhdukur më gusht të vitit të kaluar.
Ish polici Santiago Malko, Fabian Gaxha, Erigers Mihasi, kushëriri i parë Brilant Martinaj (dhe 2 të tjerë te atentati i Fushë Krujës; teksa në Milot disa ditë më vonë u vra Klisman Preçi dhe i plagosur rëndë krahu i djathtë i Martinajt, Ylli Brahimi... janë njerëzit që janë sulmuar dhe eliminuar. Eliminimi i Santiago Malkos mendohet se ka ardhur pas konflikteve të klanit “Duka” me të zhdukurin Ervis Martinaj për territorin e lojërave të fatit, konflikt i nisur pas një miqësie të fortë, për të cilin në burg është vetëm polici Jeton Lami për të cilin hetimet janë mbyllur.
14 shkurtin e këtij viti, Leonard Duka, rivali më i madh i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, me shumë mundësi e kishte planifikuar ta festonte me bashkëjetuesen e tij në një apartament në një provincë të Brukselit. Por, për të kundërtën u kujdesën autoritetet belge, të cilat sa hap e mbyll sytë zbarkuan që në orën 06:00 të mëngjesit në banesë dhe e arrestuan.
Lini një Përgjigje