Hesapet e pambyllura mes ‘të fortëve’ vijojnë ende. Sot rreth orës 03:00 një shpërthim me tritol u regjistrua në banesën e Muhamed Dukës, të atit të Leonard dhe Elis Dukës, të njohur për armiqësinë e tyre me të shumëkërkuarin Ervis Martinaj dhe për përfshirjen në botën e krimit.
Lënda plasëse ishte vendosur në katin e katërt, në derën e banesës së 65-vjeçarit në zonën e Freskut, në afërsi të Institutit të Fizikës Bërthamore.
Leonard Duka njihet si rivali më i madh i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Më 14 shkurt të këtij viti, u arrestua nga autoritetet belge në Bruksel pasi iu gjend armë zjarri në banesë dhe një sasi e konsiderueshme parash. Duka akuzohet se ka gisht në vrasjen e Santiago Malkos, i vrarë më 27 gusht 2019, mik i afërt i të zhdukur Ervis Martinaj..
"Më datë 18.04.2023, rreth orës 03:00, te Fresku, në afërsi të Insitutit të Fizikës Bërthamore, në katin e katërt të një pallati, në derën e banesës së shtetasit M. D., 65 vjeç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse", njofton policia.
Armiqësia e Dukës me Ervis Martinajn ka tërhequr më së shumti vëmendjen. Kreu i klanit “Duka” dhe Martinaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht dhe u përfshinë në një konflikt pikërisht prej këtij aktiviteti disa milionësh. Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës. Pas kësaj, ishte radha e Dukës që të merrte hak ndaj Martinajt, fillimisht duke dashur ta eliminojë atë fizikisht, por pasi dështoi, i ekzekutoi krahun e tij të djathtë, Santiago Malkon.
Që nga viti 2019 ndaj tij janë planifikuar dhe tentuar disa atentate, por në të gjitha rastet ai ka mundur që të shpëtojë falë intuitës personale, por më shumë si një njeri që disponon informacion të dorës së parë nga brenda policisë dhe vetë organizatave kriminale që kërkojnë eliminimin e tij. Në vitin 2019 ka pasur një plan konkret për eliminimin e Ervis Martinajt. Sipas dosjes në SPAK Klani Duka mundi që të rekrutojë një shtetase me inicialet N.SH e cila në atë kohë punonte në një agjenci turistike dhe kishte informacion të detajuar për lëvizje dhe fluturimet e Martinajt nga Shqipëria në drejtim të vendeve të ndryshme të BE. Këto informacione bashkë me të fejuarin e saj i vuri në dispozicion të klanit Duka kundrejt një shume prej 30 mijë euro. Sipas të dhënat në të njëjtën dosje, Leonard Duka, nuk arriti dot ta eliminonte fizikisht Ervis Martinajt dhe sipas SPAK ekzekutoi krahun e tij të djathtë Santiago Malko.
Në vazhdën e kësaj gjuetie ndaj milionerit, Vis Martinaj, i cili që nga mbyllja e basteve sportive ka bërë një jetë të tërhequr (por të blinduar me një “ushtri” të rinjsh që e ruan) në zonat rurale të largëta në aksin Laç-Lugina e Patokut, kundërshtarët e tij kanë mundur që të eliminojnë deri më tani disa nga njerëzit më të afërt të tij ndërkohë që vetë Martinaj është zhdukur më gusht të vitit të kaluar.
Lini një Përgjigje