Babai i 26-vjeçarit Martin Çeço ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila la në “arrest shtëpie” tre të dyshuarit për vrasjen e të birit.
I tronditur dhe i revoltuar, Nevzat Çeço deklaroi se ndihet i braktisur nga drejtësia dhe se familja e tij po përballet me një dhimbje të pashërueshme që prej qershorit 2022.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se djali i tij “nuk kishte asnjë faj” dhe se krimi u krye nga persona që tashmë janë identifikuar dhe kanë dhënë edhe deklarime për ngjarjen, por që sot po përfitojnë nga lehtësimi i masave të sigurisë.
Ai tha se do e bëjë vetë drejtësinë duke i djegur me benzinë autorët dhe më pas me vetëflijim në sallën e gjyqit. Gjithashtu thekson se nuk ka frikë më nga vdekja dhe nuk pranon që autorët që e deklaruan përfshirjen në krim, të lirohen pa dënim fare.
“S’kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Unë do ta ndjek që nesër. Do t’i përvëloj ata me benzinë, do ti përvëloj nuk i le. Arrest shtëpie, lirim janë ato. Mua nuk më dhimbset jeta fare, po nuk i zhduka ata. Nuk i lë, do ta them troç, le të më arrestojnë ç’të duan le të bëjnë, do t’ia gjej radhën, do gjej një bidon me benzinë do t’i përvëloj si familje”, u shpreh ai i revoltuar nga vendimi i Apelit.
Babai i Martinit thotë se nuk beson më tek drejtësia, pasi Gjykata i liroi kur autorët kanë deklaruar vetëpërfshirjen.
“Ata janë autorët, e kanë thënë me gojën e tyre vetë dhe tani t’i lirojnë. Djali nuk pati as takime me çupën asgjë, dy dashnorë i kishte, pse nuk bëri krim tek ata, por bëri në djalin tim. Ata kanë mbjellë drogë atje lart dhe për të zhdukur djalin tim kishin dalë në Maliq dy veta. E hape gojën, do të zhdukin i kishin thënë. Djali im s’kishte faj. Nuk besoj më në drejtësia, i dënoi 25 vjet ja dhanë Tiranës thanë ky krim dënohet me burgim të përjetshëm, këta tani i liruan fare”, vijon ai.
I zhgënjyer nga vendimi i drejtësisë për të birin, Nevzat Çeço theksoi se nuk e lë hakun pa marrë, sepse pret dënimin maksimal ndaj autorëve.
Lini një Përgjigje