SPAK ka kërkuar burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Hajri po gjykohet në mungesë, pasi ai ndodhet në arrati.
Raportohet se seanca është shtyrë pasi avokati i Hajrit ka kërkuar kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare.
Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar i akuzuar si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur 3 vite më parë.
Ai akuzohet për veprat penale të rrëmbimit apo mbajtjes peng të personi, ku është shkaktuar vdekja, mbajtja pa leje e armëve luftarake, fshehje dhe asgjësim kufome, si dhe grup të strukturuar kriminal.
Më herët në lidhje me rrëmbimin e Jan Prengës, SPAK ka ngritur akuzë edhe ndaj Dritan Rexhepit, Gentjan Funiqit, Martin Bletës, Korado Kështenjës, Artan Doçajt, Aldo Majnishtës dhe Geraldo Martinit.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar të vitit 2020 dhe prej gati 3 vitesh trupi i tij nuk është gjetur. Kompleksi ‘Golden’ në Shijak u kthye në skenën e krimit për Jan Prengën.
Me anë të pamjeve filmike, policia provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajrin, Bajram Hajrin, Festim Bexhdilin, Olsi Turjan, si dhe Ardian Doçajn. Megjithatë, sot po vuan burgun vetëm kopshtari i kompleksit, Festim Bexhdili.
Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019, kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës me banim në Kamëz.
Funiqi u ndalua në Spanjë me dokumente të falsifikuara dhe aktualisht është në pritje të vendimit për t’u ekstraduar drejt Shqipërisë, ku do të përballet dhe me akuzat për zhdukjen e Jan Prengës.
Por, cili ishte shkaku i kësaj ngjarjeje?
Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Jan Prenga u ekzekutua me urdhër nga “kokat” e bandës, për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i tij, Astrit Prenga mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar.
Altin Hajri, i shpallur në kërkim për pengmarrjen e Jan Prengës, në tetor të vitit 2015, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali.
Mirëpo 8 muaj më vonë, në 2016-ën, autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve.
Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro. Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak.
Lini një Përgjigje