Fëmija pësoi arrest kardiak, autoritetet nisin hetimet
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Foggia të Italisë, ku një fëmijë shqiptar 10-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë aksidentale, teksa po luante pranë një shatërvani në sheshin e qytetit Castelluccio dei Sauri.
Sipas informacioneve paraprake nga mediat italiane, i mituri, i identifikuar si Alesio, ishte duke luajtur kur dyshohet se ka rrëshqitur, duke goditur fillimisht kokën dhe më pas qafën dhe gjoksin në murin e shatërvanit. Si pasojë e goditjes së fortë, ai humbi ndjenjat dhe pësoi arrest kardiak.
Një mjek reanimator, i cili ndodhej rastësisht në zonë, ndërhyri menjëherë duke nisur përpjekjet për ta rikthyer në jetë fëmijën. Më pas në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës 118 me disa ambulanca nga Troia dhe Foggia, si dhe mjete mjekësore të specializuara.
Sipas raportimeve, përpjekjet për reanimim zgjatën mbi 45 minuta, por fatkeqësisht rezultuan të pasuksesshme. Mjekët konfirmuan vdekjen e 10-vjeçarit në vendngjarje.
Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin e vogël të Castelluccio dei Sauri. Kryebashkiaku Azzone, përmes një deklarate publike, shprehu dhimbjen dhe ngushëllimet e administratës lokale.
“Castelluccio ka ndaluar. Komuniteti ynë i vogël është goditur nga një pikëllim i madh. Humbja tragjike e Alesios së vogël na lë të tronditur dhe thellësisht të trishtuar. Një jetë e re e ndërprerë është një plagë që përshkon të gjithë qytetin”, u shpreh ai.
Në vendngjarje ndërhynë edhe karabinierët, të cilët nisën hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Anëtarët e Seksionit të Hetimeve Shkencore (SIS) të Komandës Provinciale të Foggia-s kryen inspektime teknike në zonë.
Trupi i të miturit është transportuar në morgun e Foggia-s dhe është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore. Sipas mediave italiane, magjistrati i çështjes pritet të vendosë në orët në vijim nëse do të kryhet autopsi për të përcaktuar saktësisht shkakun e vdekjes.
Lini një Përgjigje