Është zbardhur dosja e SPAK, e grupit që do ekzekutonte Xhevdet Plakun.
Referuar dosjes, mësohet se kundërshtarët e Plakut kishin tentuar ta vrisnin atë edhe në tre raste të tjera.
Në një komunikim që Dejvi Gjermeni ka pasur me të hetuarin tjetër Florian Dervishi ku i ka treguar këtij të fundit, se përveç rastit, kur Plaku është shoqëruar në polici, kanë tentuar vrasjen e tij edhe herë të tjera.
Informacioni për këtë komunikim ka ardhur nga autoritetet italiane, pasi këta persona kanë qenë nën hetim nga autoritetet holandeze për trafik droge.
Gjithashtu sipas dosjes hetimore, Plaku, i cili ishte në shënjestër për t’u ekzekutuar nga kundërshtarët e tij, e ka nuhatur që po i bëhej kurth. Ditën kur është shoqëruar nga Gjoni, i ka thënë këtij të fundit, që po ndihmon kundërshtarët e tij për ta nxjerrë në pritë, prandaj edhe po e shoqëronte në komisariat.
Referuar dosjes hetimore, më 17 Shtator 2019 kohë kur Dedan Gjoni ishte pjesë e strukturave të policisë Durrës, ka ndaluar Xhevdet Plakun teksa lëvizte me makinë të blinduar dhe e ka shoqëruar atë në komisiariat. Pas kësaj, ish-efektivi i ka dërguar foto të Xhevdet Plakut, Dejvi Gjermenit i cili ndodhej në Holandë duke i treguar se do e lironte në orën 20:00 të mbrëmjes nga dera e pasme e komisariatit.
Kush është Xhevdet Plaku?
Xhevdet Plaku, 42-vjeç, njihet si koka e një grupi kriminal të trafikut të drogës në Itali. Lënda narkotike, kokainë, importohej nga Belgjika dhe Holanda.
Në këtë aktivitet, sipas policisë Italiane, ai përdorte 25 identitete të ndryshme për të mos u kapir nga kontrollet dhe drejtonte organizatën përmes udhëtimeve të shumta që bënte në Amsterdam.
Banda i ndante pakot e drogës në bazë të cilësisë dhe sipas saj kishin edhe emërtimet, sipas markave të botës së luksit. Kokaina më e pastër ishte “Hermes”, pastaj kishte “Lacoste”, “G4”, “Rolls royce” dhe “Play Boy”.
Plaku gjithashtu ka qenë dënuar për një vrasje të kryer shumë vite më parë në Durrës. Gjithashtu ishte akuzuar për një tjetër vrasje, për të cilën u shpall i pafajshëm.
Sipas vendimit të Gjykatës së Durrësit, më 24 qershor të vitit 2003, në Lagjen Nr.15, në zonën e Spitallës, Xhevdet Plaku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Saimir Sina.
Autori dhe viktima kanë qenë banorë të së njëjtës lagje dhe kanë pasur shoqëri me njëri-tjetrin. Duke qenë se Xhevdet Plaku ka qenë emigrant në Itali, Saimir Sina ishte në dijeni të faktit se ai kishte të dashur shtetasen Nertila K. Dhe, duke përfituar dhe nga njohja personale me këtë vajzë, i ka propozuar për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për t’u bashkuar me të dashurin e saj.
Vajza e ka pranuar këtë propozim dhe, në muajin korrik të vitit 2001, Sina, së bashku me një person tjetër, e kanë çuar Nertilën në Itali, duke ndryshuar destinacionin për të cilin ranë dakord.
E dëmtuara është dërguar në Romë, ku dhe e kanë detyruar forcërisht që të ushtronte prostitucion për llogari të tyre. Shtetasja Nertila K. është kthyer në Shqipëri në dhjetor të vitit 2001 dhe ka paraqitur kallëzim penal për ngjarjen e mësipërme.
Gjykata e Durrësit e deklaroi fajtor shtetasin Saimir Sina dhe e dënoi me 1 vit e 6 muaj burg. Në këtë kohë Xhevdet Plaku, pasi është vënë në dijeni të veprimeve të Saimir Sinës ndaj të dashurës së tij, ka vendosur të hakmerret, plan të cilin e ka konkretizuar disa ditë pas daljes së Saimirit nga burgu.
Mbrëmjen e 24 qershorit të vitit 2003, pasi e kishte vëzhguar dhe ruajtur për disa ditë me radhë, Plaku ka shkuar me makinën e tij afër banesës së Sinës, i cili në atë moment ishte i shoqëruar nga i vëllai dhe disa shokë të tjerë.
I dënuari e ka thirrur viktimën dhe pas një debati të shkurtër me fjalë, në momentin kur ai ka marrë rrugën për t’u larguar, e ka qëlluar tri herë me pistoletën që e mbante pa leje, duke i shkaktuar vdekjen.
Lini një Përgjigje