TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Maj 2023, 16:16

Të shtëna me armë zjarri në Kurbin, qëllohet në drejtim të makinës së ish-deputetit Armando Prenga

Shkruar nga Pamfleti

Të shtëna me armë zjarri në Kurbin, qëllohet në

Ish-deputeti Armando Prenga është qëlluar me armë zjarri teksa lëvizte me automjetin e tij. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në Kurbin dhe ka qenë vetë ish-deputeti, i cili ka informuar forcat e rendit se një person ka hapur zjarr ndaj makinës ë tij. Sipas policisë, bëhet fjalë për një 29-vjeçar që ka qëlluar, i cili është shpallur në kërkim. Fatmirësisht ish-deputeti nuk ka marrë lëndime.

Shtetasi A. P., 49 vjeç, ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Kurbin se në Fushë Kuqe, ndërkohë që qarkullonte me automjet, shtetasi F. I., 29 vjeç, kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar. 

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit F. I., i cili është shpallur në kërkim, bashkë me automjetin tip “Benz” me të cilin është larguar.  

Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti”, njofton policia.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për votat. Dy ditë më parë ka pasur përplasje të fortë në KZAZ-në e Kurbinit. Madje KQZ bllokoi numërimin për shkak se një numërues u dhunua dhe duket se ka pasur gisht dhe ish-deputeti. Madje u desh dhe ndërhyrja e policisë.

Mësohet se 29-vjeçari është djali i njërit prej vëzhguesve të koalicionit të “Bashkë Fitojmë”. Prenga dhe babai i tij kanë pasur prej dy ditësh konflikte dhe sot tensioni ka agravuar. 

Duhet theksuar se ish-deputeti Prenga në vitin 2015 u arrestua sepse u përfshi në një plagosje po në Kurbin. Ai pati konflikt me disa persona të tjerë për çështje pronësie tek Laguna e Patokut, përplasje që përfundoi me përdorimin e armëve. Nga të shtënat u plagosën 7 persona, mes të cilëve dhe vëllai i Prengës.  Vetë ish-deputeti u arrestua dhe u gjykua, por doli shumë shpejt nga qelia pas zbutjes së akuzave.

kurbin arme te shtena

Lini një Përgjigje