
Prokuroria e Posaçme është vënë në lëvizje për krimet zgjedhore të 14 majit. Ka pasur shumë akuza për shitje e blerje votash, ndërkohë që sot SPAK ka vënë në pranga një person. Sipas një njoftimi të lëshuar nga SPAK, në pranga ka rënë Klodian Kapidani. Ky i fundit është parë gjatë zgjedhjeve të 14 majit duke dhënë para dhe duke tentuar të blejë vota në qytetin e Kavajës. Pas hetimeve dhe sigurimit të provave, sot ai është vënë në pranga me urdhër të SPAK. Sipas burimeve, dyshimet janë se ai blinte vota për koalicionin Bashkë Fitojme.
“Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë proçedim penal, janë krijuar dyshime se shtetasi K.K, me banim në Kavajë, në datën 14.05.2023, datë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme vendore për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit”, shprehet prokuroria.
Ky është aksioni i parë i SPAK për krimet zgjedhore. Pak kohë më parë u arrestua për blerje votash Fredi Beleri, por ky i funti u prangos nga prokuroria e Vlorës.
Njoftimi i plotë i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar hetime në lidhje me proçedimin penal nr.88 viti 2023 që bën fjalë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë proçedim penal, janë krijuar dyshime se shtetasi K.K, me banim në Kavajë, në datën 14.05.2023, datë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme vendore për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.58, datë 09.06.2023 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
– Caktimi i masës së sigurimit “Arresti në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim K.K, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policise Tiranë kanë ekzekutuar në datën 09.06.2023 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj personit nën hetim të mësipërm.
Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.
Lini një Përgjigje