TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Maj 2026, 12:28

Shkatërrohet plantacioni i kanabisit në Spanjë, mes të arrestuarve edhe shqiptarë; çfarë u sekuestrua

Shkruar nga Pamfleti
Shkatërrohet plantacioni i kanabisit në Spanjë, mes të
Garda Civile spanjolle

Garda Civile spanjolle ka arrestuar katër persona pas zbulimit dhe çmontimit të një plantacioni kanabisi me mbi 1.000 bimë në një fermë në L’Olleria, në provincën e Valencias.

Operacioni çoi gjithashtu në sekuestrimin e rreth 30 kilogramëve të një substance anestezike, e përdorur zakonisht për përzierjen e kokainës.

Hetimet nisën në muajin shkurt, pasi agjentët konstatuan lëvizje të pazakonta në fermën e dyshuar. Sipas autoriteteve, dy persona që udhëtonin vazhdimisht me automjete me qira nga veriu i Spanjës hynin dhe dilnin shpesh nga prona, duke ngritur dyshime te hetuesit.

Pas kësaj, Garda Civile vendosi fermën nën vëzhgim. Gjatë monitorimeve, agjentët vunë re nga jashtë qese dhe thasë të shumtë që dyshohej se përmbanin mbetje bimore, dheu dhe materiale të lidhura me kultivimin e kanabisit.

Hetimi u mbështet edhe nga shërbimi i inspektimit të kompanisë së energjisë elektrike, i cili konfirmoi se në fermë kishte lidhje të paligjshme dhe vjedhje të energjisë elektrike. Në bazë të këtyre provave, më 24 mars u arrestuan dy shtetas shqiptarë.

Gjatë kontrollit në pronë, Garda Civile zbuloi 1.008 bimë kanabisi në fazë lulëzimi, si dhe mbi 29 kilogramë të një substance anestezike që përdoret shpesh për përzierjen e kokainës. Autoritetet sekuestruan gjithashtu pajisje të shumta për kultivim intensiv, përfshirë llamba, kondicionerë, sisteme ujitjeje dhe ventilatorë.

Në fermë u gjetën edhe një thikë e madhe me dy tehe dhe një pushkë ajri, së bashku me pajisje të tjera të përdorura për aktivitetin e paligjshëm.

Faza e dytë e operacionit u zhvillua më 23 prill, kur u arrestuan edhe dy persona të tjerë në L’Olleria, të dy me shtetësi spanjolle. Sipas Gardës Civile, ata kishin rol logjistik në grup, duke siguruar banesa, duke lidhur kontrata qiraje me identitete fiktive dhe duke kryer pagesa mujore cash për funksionimin e aktivitetit.

Katër të arrestuarit, tre burra dhe një grua të moshës nga 31 deri në 59 vjeç, me shtetësi shqiptare dhe spanjolle, akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale, kultivim dhe prodhim droge, si edhe mashtrim me energjinë elektrike.

Pas daljes para gjykatës, dy prej të arrestuarve janë lënë në burg. Hetimi është zhvilluar nga njësia hetimore e Ontinyent, ndërsa dosja i është dorëzuar gjykatës kompetente të zonës.

Lini një Përgjigje