
Autoritetet italiane dhe shqiptare kanë goditur rrjetin e trafikut të drogës që vepron nga të dy vendet.
Me mbështetjen e Eurojust-it dhe Europol-it në një operacion të gjerë u arrestuan 59 të dyshuar, në Shqipëri, Itali, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Në njoftimin zyrtar, Europol thotë se rrjeti kryesisht kontrabandonte heroinë, kokainë dhe marihuanë në Gjermani dhe Spanjë duke përdorur makina me shtresa të dyfishta ose ndarje sekrete.
“Vitin e kaluar, 21 të dyshuar u arrestuan në një operacion të parë kundër të njëjtit grup të krimit të organizuar të udhëhequr nga shqiptarët. Ky operacion çoi gjithashtu në sekuestrimin e drogës me vlerë rreth 2.7 milionë euro.
Hetimet fillestare u nisën në vitin 2019 nga Zyra e Prokurorit Publik e Firences – Drejtoria e Antimafias së Qarkut. Nga janari 2020, autoritetet italiane dhe shqiptare të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) në Tiranë kontaktuan me Eurojust-in për të koordinuar bashkëpunimin gjyqësor ndërkufitar kundër këtij rrjeti kompleks. Ai operonte si nga Shqipëria ashtu edhe nga Italia, duke transportuar drogë me makinë drejt Spanjës dhe Gjermanisë, ndërsa të dyshuarit e tjerë ishin me bazë në Holandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në njoftimin e Europol.
Ndërkohë Europol ka publikuar edhe pamjet e operacionit.
Lini një Përgjigje