
Një 60-vjeçare nga Tirana është vënë nën hetim nga policia, pasi shiste produkte ushqimore të skaduara afër një shkolle në rrugën "Tre Dëshmorët", në kryeqytet.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin me përgjegjësi të çdo veprimtarie apo fenomeni, që cenon sigurinë e nxënësve, kanë vijuar intensifikisht kontrollet, në bashkëpunim me inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në afërsi të shkollave të ndryshme të Tiranës, ku tregtohen produkte ushqimore për nxënësit.
Gjatë kontrolleve, në rrugën "Tre Dëshmorët", në dyqanin e shtetases F. Ç., 60 vjeçe, u gjetën dhe u sekuestruan produkte të ndryshme ushqimore që ajo i shiste në afërsi të një shkolle, edhe pse iu kishte kaluar afati i konsumimit.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetases F. Ç., 60 vjeçe, banuese në Tiranë", njofton policia.
Lini një Përgjigje