TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Qershor 2026, 10:02

Sadik Llani ende në kërkim, RENEA aksion në Fushë-Krujë; bastisen 10 banesa

Shkruar nga Pamfleti
Sadik Llani ende në kërkim, RENEA aksion në
Autori Sadik Llani

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan, ndërsa policia dhe forcat speciale RENEA vijojnë operacionin intensiv për kapjen e autorit të dyshuar, Sadik Llani, i cili prej më shumë se 24 orësh është shpallur në kërkim.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se më shumë se 10 banesa në Fushë-Krujë dhe zonat përreth janë kontrolluar nga forcat RENEA për lokalizimin e Llanit. Megjithatë, deri tani autoritetet nuk kanë mundur të bien në gjurmët e tij.

Kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e vetë Sadik Llanit, por nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Hetuesit dyshojnë se i kërkuari mund të ketë përgatitje ushtarake, fakt që ka bërë të nevojshme angazhimin e forcave elitë të RENEA-s në operacion.

Nga të dhënat e mbledhura deri tani rezulton se Ardian Baloshi ndodhej vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes, pranë një banese private në zonën e Paskuqanit. Sipas hetimeve paraprake, autori i dyshuar ka mbërritur me një automjet tip “Benz” dhe ka hapur zjarr në drejtim të 27-vjeçarit nga një distancë e afërt.

Më pas, ndërsa afrohej me automjet, ai dyshohet se ka vijuar të qëllojë me breshëri ndaj Baloshit. Edhe pse i plagosur, i riu ka tentuar të largohet duke vrapuar drejt parkimit të lokalit, por është qëlluar sërish, duke humbur jetën në vend.

Pas ngjarjes, banorë të zonës e transportuan Baloshin me automjet privat drejt Spitalit të Traumës, por ai mbërriti pa shenja jete.

Hetimet kanë zbuluar se Sadik Llani dhe Ardian Baloshi njiheshin prej kohësh dhe madje kishin pasur marrëdhënie miqësore. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se mes tyre kanë ekzistuar konflikte të hershme, të cilat dyshohet se janë rikthyer së fundmi.

Rreth dy vite më parë dy të rinjtë kishin pasur një përplasje të fortë, por më pas kishin arritur të pajtoheshin dhe marrëdhënia mes tyre ishte normalizuar. Megjithatë, mosmarrëveshjet dyshohet se janë rishfaqur muajt e fundit, duke krijuar tensione të vazhdueshme që përfunduan tragjikisht me vrasjen e 27-vjeçarit.

Ndërkohë, Sadik Llani rezulton person me precedentë penalë. Ai është dënuar më herët për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe aktualisht konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Policia dyshon se ai lëviz i armatosur, çka ka shtuar masat e sigurisë gjatë operacionit për kapjen e tij.

Për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit janë angazhuar strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe forcat speciale RENEA, të cilat vijojnë kontrollet intensive në disa zona të vendit.

Ndërkohë, policia u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e Sadik Llanit. Për çdo të dhënë të vlefshme që çon në lokalizimin e tij, është vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh.

 

Lini një Përgjigje