Gjykata dhe prokuroria e Elbasanit është blinduar ditën e sotme pasi pritet të jepet masa e sigurisë për anëtarët e bandës së Laert Haxhiut të arrestuar në kuadër të operacionit “Never Forget” (Kurrë mos harro).
Në pritje të zhvillimit të seancës për masën e sigurisë një territor i gjerë rreth e rrotull gjykatës së Elbasanit është bllokuar.
Sakaq mësohet se seanca e sotme do të drejtohet nga Prokuror Kreshnik Ajazi dhe gjyqtare Megi Strakosha.
Në 28 tetor policia arrestoi 12 persona dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë, si të dyshuar për 6 vrasje, 3 përpjekje për vrasje, 5 shpërthime të pronave me dinamit, 2 grabitje me dhunë, si dhe zbardhje e dy vrasjeve të kryera në Greqi.
Vrasjet me paramendim dhe për gjakmarrje, si dhe krime të tjera janë kryer në Korçë, Elbasan, Peqin, Lushnje, Tepelenë, Durrës dhe Tiranë në vitet 2021-22.
Të arrestuarit janë:
-Artan (Marjus) Tafani,
-Lulzim Spahija (Arapi),
-Ligor Romacka,
-Erisiano Abedini,
-Bledar Berberi,
-Maringlen Topuzi,
-Bujar Abedini,
-Enriko Xhahysa,
-Klea Gjata,
-Idriz Manej,
-Fatjon Veliu,
-Laert Haxhiu.
Ky i fundit përmendet nga policia si pjesëmarrës i dyshuar në pothuaj të gjithë vrasjet dhe episodet e dhunshme, që janë renditur në njoftimin zyrtar për këtë grup.
Artan Tafani "ushtari" i Laert Haxhiu është bërë dhe bashkëpunëtor i drejtësisë duke zbardhur mbi 19 ngjarje kriminale mes tyre dhe 6 vrasje të cilat sipas prokurorisë së Elbasanit ekzistojnë të gjitha provat se janë kryer nga banda e Laert Haxhiut.
Tafani është arrestuar mbrëmjen e së shtunës 23 shtator 2023 në darkë në një hotel pranë një karburanti në autostradë në territorin e Lushnjes.
Drejtuesit e policisë pohuan se tashmë janë zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale kundër personit dhe pronës, të ndodhura më parë brenda dhe jashtë vendit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, tha para mediave se operacioni rriti sigurinë publike dhe ndriçoi një seri krimesh prej angazhimit të një policie përherë e më profesionale.
Ministri i punëve të brendshme, Taulant Balla, vlerësoi policinë për “zbardhjen e 16 ngjarjeve të rënda kriminale”, dhe ftoi qytetarët të bashkëpunojnë me forcat e rendit për të goditur së bashku paligjshmëritë dhe për rritur nivelin e sigurisë në komunitet.
Lini një Përgjigje