
Ka ndërruar jetë në spitalin e traumës një nga të plagosurit e aksidentit të sotëm në qytetin e Burrelit.
Një i ri mori para 4 këmbësorë, por mësohet se 74-vjeçari Veli Bunga nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga përplasja e automjetit tip Benz që drejtohej nga 28-vjeçari Ylber Xhepavdija.
Po ashtu, në gjendje të rëndë shëndetësore janë edhe mbesa e 74 vjeçarit si dhe shoferi i mjeteve të Bashkisë Përparim Nikaj.
Shoferi i mjetit pas aksidenti u largua, por policia njoftoi arrestimin e tij.
"Në vijim të informaciont paraprak, ku në vendin e quajtur 'ish grumbullimi', në Burrel, shtetasi Y.Xh., duke drejtuar automjetin tip "Benz", aksidentoi 4 shtetas (këmbësorë), dhe u largua menjëherë nga vendi i aksidentit, si rezultat i veprimeve hetimore dhe intensive të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat dhe shërbimet e Policisë Rrëshen, u bë i mundur lokalizimi i vendodhjes, kapja dhe arrestimi i drejtuesit të automjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasit Y.Xh., 28 vjeç, banues në Mat.
Gjithashtu, u bë shoqërimi në Komisariat i shtetasit A.B., i cili me automjetin e tij, ndihmoi të largonte nga vendi i aksidentit shtetasin Y.Xh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje