
Durim Bami i njohur edhe si "i fortë i Niklës", i kërkon autoriteteve të Dubait të mos ta dorëzojnë në Shqipëri.
Mbrojtësit e të shumëkërkuarit prej SPAK njoftuan se Bami ju ka renditur autoriteteve në Emiratet e Bashkuara emrat e personave që sipas tij duan ta vrasin në Shqipëri.
Këta emra, Bami i ka marrë prej dosjes Metamorfoza ku protagonistë të krimit të organizuar bënin plane ta eliminonin. Bami u arrestua në Dubai teksa ishte nën shoqërinë e familjes si një i kërkuar prej SPAK.
“Më rrezikohet jeta. Unë nuk akuzohem për vrasje, ata që janë brenda apo në kërkim janë për vrasje”, ka pretenduar Durim Bami para autoriteteve të drejtësisë.
Ditën e djeshme, Policia e Shtetit u njoh zyrtarisht me arrestimin e Durim Bamit. 45-vjeçari që prej muajsh fshihej në Emiratet e Bashkuara ra sërish në prangat e policisë në Dubai, vend ku u arrestua dhe në muajin Qershor të këtij viti. Pas prangosjes së tij, Interpol Tirana ka dërguar menjëherë kërkesë për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Durim Bami u shpall në kërkim në kuadër të dosjes Revansh të hetuar nga SPAK.
Bami akuzohet për planifikimin e vrasjes së Arben Ndokës, Tori Xhecukës, dhe Erigers Mihasit. Pjesë e kësaj dosjeje është edhe bashkëpunimi i dyshuar mes Durim Bamit me ish-efektivin e RENA-s Altin Moria për kultivimin e kanabisit në Nikël.
SPAK në kuadër kësaj dosje kërkoi arrestimin e 50 personave, mes të cilëve ishin dhe Durim Bami, ish-deputeti i PS Arben Ndoka, Ervis Martinaj, Endrit Dokle si dhe personazheve të tjerë të botës së krimit.
Nga 50 personat të përfshirë në këtë dosje, 16 prej tyre kishin thurur plane për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami.
Lini një Përgjigje