
Zbardhen detaje të reja nga hetimet lidhur me plagosjen me armë zjarri të shtetasit turk Halil Uçar mbrëmjen e së hënës në Tiranë. 39-vjeçari u plagos në ambientet e një restoranti turk në zonën e Saukut të vjetër. Sipas policisë autori është një shtetas turk me origjinë kurde.
Ai e ka qëlluar 39-vjeçarin me pistoletë nga një distancë e afërt, por i është bllokuar arma dhe i plagosuri ka marrë vetëm një plumb pranë barkut, ndërsa sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore paraqitet stabël dhe jashtë rrezikut për jetën.
Për herë të fundit, autori është pikasur nga kamerat e sigurisë një rrugë pranë liqenit të Thatë. Burime bëjnë me dije se i plagosuri 39-vjeçari Halil Uçar nuk është treguar bashkëpunues me hetuesit për identifikimin e autorit dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Policia dyshon se i plagosuri merret me aktivitet të paligjshëm, pasi kishte disa ambiente me qira në kryeqytet. Sipas "A2 CNN", grupi hetimor po heton edhe pistën nëse shtetasi turk merrej me aktivitetin ilegal të call center-ave apo të kriptomonedhave. Hetuesit dyshojnë se konfliktet në aktivitetet e tij të paligjshme mund të jetë edhe shkaku i tentativës për ta vrarë 39-vjeçarin Halil Uçar.
Lini një Përgjigje