
Shtetasi portugez Ruben Saraiva është paraqitur sërish këtë të martë, më 10 mars, në Gjykatën e Lezhës, në vijim të procesit gjyqësor që zhvillohet ndaj tij.
Gjatë seancës së radhës, pala mbrojtëse paraqiti konkluzionet përfundimtare për çështjen. Seanca zgjati rreth dy orë, ndërsa Saraiva foli para trupit gjykues lidhur me akuzat ndaj tij, duke kërkuar shpalljen të pafajshëm. Ai i është drejtuar organit të akuzës që të paraqesë arsye më të forta që, sipas tij, do ta implikonin në ngjarje.
Avokati mbrojtës Kujtim Cakrani deklaroi se, bazuar në pamjet filmike, nuk rezulton që klienti i tij të jetë autori i vrasjes. Sipas tij, Saraiva ka ngritur edhe një pretendim tjetër gjatë seancës, duke denoncuar diskriminim në burg.
Saraiva akuzohet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin. Më herët, Prokuroria e Lezhës ka dhënë pretencën për këtë çështje, duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin portugez.
Nga ana tjetër, mbrojtja këmbëngul se Saraiva është i pafajshëm dhe se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që e lidhin me krimin. Pas paraqitjes së konkluzioneve nga pala mbrojtëse, gjykata pritet të tërhiqet për të marrë vendimin.
Lini një Përgjigje