Për shkak të mosregjistrimit në sistem, emri i tij nuk rezultonte në kontrollet rutinë
Sipas mediave italiane dhe autoriteteve të hetimit, Markelian Hoti kishte arritur të qëndronte i padukshëm për disa kohë duke shfrytëzuar procedurat e regjistrimit të 'strehës' ku ishte akomoduar.
Konkretisht, ai qëndronte në një B&B në zonën Ponte di Nona në Romë, por të dhënat e tij nuk ishin futur në sistemin elektronik të policisë italiane “Alloggiati Web”. Ky portal detyron pronarët e hoteleve dhe strukturave akomoduese të regjistrojnë në kohë reale identitetin e çdo klienti, në mënyrë që forcat e rendit të mund të kryejnë verifikime automatike.
Për shkak të mosregjistrimit në sistem, emri i tij nuk rezultonte në kontrollet rutinë, çka e bëri praktikisht të padukshëm për autoritetet gjatë kësaj periudhe. Vetëm pas një aktiviteti të koordinuar monitorimi nga Shërbimi për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Policisë dhe skuadra mobile e Romës, hetuesit arritën të lokalizonin vendndodhjen e tij dhe të verifikonin identitetin.
Pra, sipas informacionit të publikuar, ai nuk përdori identitet të rremë, por përfitoi nga mungesa e regjistrimit zyrtar në sistemin e kontrollit të strukturave akomoduese.
Skeda kriminale e Markelian Hotit:
27-vjeçari Markelian Hoti, ka pasur rol kyç në një organizatë të specializuar në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut. Droga mbërrinte në portin e Antverpenit në Belgjikë dhe më pas transportohej me automjete me fuqi të lartë nga Europa Veriore drejt Dubait. Pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë, të fshehura në kontejnerë të mbërritur në Antverpen, Hoti kishte humbur gjurmët.
Në janar të këtij viti, ndaj tij u lëshua një mandat arresti europian për “bashkëpunim me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, vepër penale që në Itali parashikon deri në 15 vite burg.
Arrestimi u bë i mundur falë monitorimit të vazhdueshëm të Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Policisë, Divizioni Sirene i Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me seksionin antidrogë të skuadrës mobile, për të verifikuar praninë e tij të mundshme në Romë. Hetuesit e skuadrës mobile të Romës, të drejtuar nga Roberto Pititto, e lokalizuan dhe e ndaluan në ambientet e strukturës ku qëndronte.
Markelian është vëllai i deputetes, Elda Hoti. Kujtojmë se në vitin 2025 ai ishte kallëzuar për kanosje gjatë fushatës zgjedhore të së motrës, pasi dyshohet se kishte kërcënuar një person me armë zjarri. Sipas raportimeve, çështja u mbyll pa pasoja penale.
Lini një Përgjigje