TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Mars 2023, 09:24

Zbulohen 27 sera me kanabis në Malësinë e Madhe, pranga ‘bosit’ të drogës; sekuestrohen armë dhe municion

Shkruar nga Pamfleti

Zbulohen 27 sera me kanabis në Malësinë e Madhe, pranga

Një plantacion droge është zbuluar në Malësi të Madhe ku ishin ngritur 27 sera, brenda të cilave ishin kultivuar në kubikë rreth 8 mijë fidanë kanabisi. Në pranga ka rënë 52-vjeçari Nesti Velaj alias Errnest Veshtaj, i dyshuar si organizator i kultivimit. Në banesën e tij u gjetën dhe 3 armë gjahu, një sasi fishekësh për armë gjahu dhe 5 armë të ftohta (thika), të cilat i mbante pa leje.

Gjithashtu ka nisur procedimi penal për shtetasit Gjovalin Gjekaj, Roland Gjekaj dhe Arben Hysaj, të tre zyrtarë të bashkisë Koplik. 

"Si rezultat i këtij megaoperacioni, 20 metra në thellësi të këtij krateri, janë evidentuar 27 sera, brenda të cilave janë gjetur të kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në proces për t’u kultivuar në tokë. Grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka sekuestruar prova të vlefshme që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjithashtu, vijon puna në vendngjarje me qëllim përcaktimin e saktë të numrit të fidanëve, sekuestrimin e një sasie fidanësh në cilësinë e provës materiale, asgjësimin e pjesës tjetër të fidanëve dhe agjësimin e bazës materiale që ka shërbyer për kultivimin e fidanëve narkotikë në kubikë, proces i cili do të pasqyrohet përmes pamjeve filmike dhe fotografike.

Në vijim të veprimeve hetimore, është arrestuar shtetasi N. D. alias E. V., 52 vjeç, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si organizator i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale. Po në vijim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. Gj., 61 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe; R. Gj., 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe A. H., 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë). Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. D., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu, një sasi fishekësh për armë gjahu dhe 5 armë të ftohta (thika), të cilat ky shtetas i mbante pa leje."-njofton policia. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin N. D., për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive“ dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa për shtetasit Gj. Gj., R. Gj. dhe A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

operacioni anti-drogë në shkodër

Lini një Përgjigje