Zbardhen detaje nga aksioni policor me urdhër të SPAK, sot në Durrës. Operacioni ka në fokus dy grupe kriminale të dyshuar si të përfshirë në vrasje dhe tjetërsim të pronave.
SPAK dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar mbrëmjen e djeshme një aksion në qytetin e Durrësit. Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 9 urdhër arreste për akuza si vrasje, grup kriminal e tjetërsim pronash. Vetëm 3 prej urdhrave janë ekzekutuar.
Mësohet se në pranga ka rënë vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si ‘Rrumi i Shijakut’, Vullnet Muça. Policia ka ushtruar kontrolle në shtëpinë e “Rrumit të Shijakut”, por nuk është gjetur në banesë. Gjithashtu i arrestuar është dhe Vlashi Draçi i dyshuar pjesë e skemës kriminale të tjetërsimit të pronave.
Raportohet se mes 9 personave që është lëshuar urdhër-arrest është edhe një grua, Edlira Avdyli, ndaj të cilës është caktuar masa e ‘ndalimit për të dalë jashtë vendit’.
Gjatë aksionit, policia ka arrestuar edhe Enea Kumen, vëllain e deputetit të Partisë Socialiste Loer Kume. Ai u prangos mbrëmjen e djeshme, në qytetin e Durrësit.
Masë sigurie është lëshuar edhe për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut, i cili është në kërkim edhe për ngjarje të tjera nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar masë sigurie edhe për Astrit Avdylajn, kreun e bandës së Shijakut dhe nipin e tij, Aldo Avdyli. Ky i fundit dyshohet se ka qenë ekzekutori në një ngjarje kriminale të zbardhur nga SPAK, ndërsa nuk bëhet i ditur ende identiteti i personit që është vrarë.
Ndërkohë, Astrit Avdylaj aktualisht ndodhet në burg, i arrestuar për operacionin “Revanshi”.
Masat e SPAK
Të arrestuar:
Vullnet Muça, vëllai i Rrumit të Shijakut
Enea Kume, vëllai i deputetit të PS-së, Loer Kume
Vlash Draçi
Në kërkim:
Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi i njohur si Rrumi, akuza për tjetërsim pronash, grup kriminal
Të akuzuar për vrasje:
Astrit Avdyli akuzë për vrasje e grup kriminal (Ndodhet në burg për krime të tjera).
Aldo Avdyli, vrasje grup kriminal, i cili është në kërkim
Ndalim largimi nga vendi:
Edlira Avdyli
Lini një Përgjigje