Por edhe sa duhet të presim që krimi dhe grupet mafioze të hanë kokat e njëri tjetrit siç thotë edhe kryeministri Edi Rama?
Kryeqyteti brenda një jave (14 dhe 19 Nëntor ) është tonditur nga dy atentat mafioze pas mesnate.
Teksa Policia e Shtetit nuk ka gjetur ende autorët e vrasjes së biznesmenit të ndërtimit, Eduart Reçi i cili u ekzekutua poshtë pallatit ku banonte, një tjetër atentat tonditi kryeqytetin në zonën e Xhamllikut u ekzekutua me pesë plumba në bark dhe në kokë djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi rreth orës 01:40 të mesnatës.
Vrasja e biznesmenit të ndërtimit , Eduart Reçi
Fillimisht në 14 Nëntor biznesmeni Eduart Reçi, u vra në një atentat misterioz në Rrugën e Elbasanit në Tiranë.
52-vjeçari u qëllua me një plumb në kokë, teksa po dilte nga një lokal në afërsi të ‘Rrugës së Elbasanit’ në Tiranë.Ai u dërgua në spitalin e Traumës pasi u plagos, por ndërroi jetë gjatë natës.
Viktima ishte duke folur në telefon në momentin që është qëlluar me armë zjarri. Një kamera sigurie e tregon atë teksa rrëzohet.
Vrasja e biznesmenit të ndërtimit në Tiranë, Eduart Reçi, është organizuar në një formë thuajse perfekte, që deri më tani, është duke ia vështirësuar punën grupit hetimor për të shkuar në ndonjë gjurmë të autorit apo autorëve të dyshuar.
Atentatorët, të cilët e kishin vënë në vëzhgim biznesmenin, e ruajtën në pallatin e ndërtuar prej tij ku edhe banonte, për të gjetur momentin e pagabueshëm për ta vrarë.
Mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 23:00, 52-vjeçari ishte nën shoqërinë e bashkëshortes së tij, në shtëpinë e tij private krah pallatit të ndërtuar prej tij në rrugën “Gjeneral Nikols”, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë. Siç burimet tregojnë, përmes dëshmive të mbledhura dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë, të dy kanë qenë duke pastruar sheshin kryesor. Eduart Reçi ka hyrë dhe ka dalë disa herë në banesë, ndoshta për të marrë diçka teksa punonte me gruan.
Për të kamufluar zhurmën e armës që kishin bërë gati dhe ia kishin drejtuar 52-vjeçarit, autorët kanë hedhur disa fishekzjarrë të cilët kanë bërë shpërthime të njëpasnjëshme. Në mesin e kësaj zhurme që siç burimet thonë janë dëgjuar si 5 të shtëna, (njëra prej të cilave e armës) Eduart Reçi rrëzohet përtokë, siç edhe kamerat e sigurisë e kanë fiksuar. Gruaja e tij nuk e mendonte tragjedinë me të cilën do duhej të përballej. Fillimisht – thonë burimet – ajo besoi se ndonjë cifël e fishekzjarrëve i kishte rënë në kokë, duke mos kuptuar se ishte plumb. Vetëm kur mbërriti ambulanca e thirrur prej saj, mjekët zbuluan se kishin të bënin me plagë të shkaktuar nga një plumb tejshpues, i cili i mori jetën biznesmenit pas ndërhyrjes pa sukses të bluzave të bardha në Spitalin e Traumës.
Pranë shtëpisë së ndërtuesit, hetuesit gjetën një plumb, të një kalibri të vogël, i cili do të ekspertohet për të zbuluar se nga çfarë lloj arme ka dalë, pasi deri më tani dyshohet armë e ndonjë prodhim të viteve të fundit dhe e panjohur, ndërsa në vendngjarje nuk është gjetur gëzhoja.
Me asnjë “hije” të autorëve të dyshuar, hetuesit kanë zgjeruar rrezen e këqyrjes së kamerave të sigurisë në distanca më të largëta nga pallati i ndërtuesit dhe në ditët para ngjarjes për të parë lëvizje të dyshimta të personave që mund ta kenë ruajtur.
Celulari i Eduart Reçit është dërguar për ekspertim me shpresën se mund të zbulohet ndonjë e dhënë në komunikimet që ka pasur së fundmi.
Vrasja e Klaudio Prendit, djalit të ish-gjyqtarit, Fran Prendi
Klaudio Prendi u ekzekutua gjatë mesnatës në zonën e Xhamllikut në Tiranë. I riu është qëlluar breshëri plumbash me silenciator, sapo ka dalë nga një lokal rreth orës 01:40. I riu humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë në zonën e Farkës është gjetur edhe një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve.
Mësohet se Klaudio Prendi është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi.
Viktima, djali i ish-gjyqtarit për krimet e rënda Fran Prendi, është qëlluar në kokë dhe bark me 5 plumba.
Rreth 1 orë pas ngjarjes, një automjet me targa të huaja u gjet i djegur në zonën e Farkës.
Dyshohet se makina i përket autorëve të atentatit ndaj 28-vjeçarit.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset dhe objektet pranë vendit të ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve, por kjo nuk dihet se kur do të ndodhë.
Fran Prendi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në ish-Gjykatën për Krimet e Rënda prej vitit 2006, detyre që e vijoi për një vit edhe në Gjykatën e Posaçme. Në nëntor 2020 ai u largua nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, pa kaluar në filtrat e vetingut.
Firmën e tij si kryesues e mbajnë dhjetëra vendime gjyqësore, mes të cilave ai ndaj Emiliano Shullazit dhe grupit të tij në vitin 2018, si edhe ndaj Salvatore Lettizias, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin "Zogu I" në vitin 2015.
Por edhe sa duhet të presim që krimi dhe grupet mafioze të hanë kokat e njëri tjetrit siç thotë edhe kryeministri Edi Rama?/ Pamfleti
Lini një Përgjigje