Ish-kreu i PD-së në Rukaj, Shpëtim Lika ka rënë në prangat e policisë si i dënuar me 8 vjet burg për trafik të lëndëve narkotike. Në vitin 2016, 51-vjeçari u zbulua si autori i mbjelljes së mbi 4020 rrënjëve kanabis dhe i 3 tonëve të tjera të cilat ishin në proces tharjeje. Sasia rekord e drogës, u gjet në shtator të vitit 2016.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat ndaluan shtetasin Shpëtim Lika, 51 vjeç, banues në Rukaj, Mat. Ky shtetas është shpallur në kërkim në shtator të vitit 2016, në kuadër të një operacioni policor të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë operacionit, në fshatin Rremull, njësia administrative Rukaj, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në katër parcela, 4020 bimë cannabis sativa, ndërsa në afërsi të banesës së shtetasit Shpëtim Lika, në një përrua, u konstatua një hangar i ndërtuar me shtylla druri brenda të cilit kishte të varura, për t’u tharë, një sasi degësh të bimës cannabis sativa. Gjithashtu, 100 metra më lart, tek një banesë e pabanuar që administrohej nga shtetasi Shpëtim Lika u gjet një sasi tjetër degësh të bimës narkotike kanabis që ishin vendosur për t’u tharë, me peshë totale 3052 kg.”-njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Mat, për veprime të mëtejshme.
Kush është Shpëtim Lika:
Shpëtim Lika ka qenë ish-funksionar i PD-së në bashkinë Burrel dhe ish kryetar i degës së PD-së në Komunën Rukaj. Pasi 4 parcelat e tij me 3 ton hashash u zbuluan në vitin 2016, ai u mor i pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzën e "Kultivimit të narkotikeve", "Grup i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal" si dhe "Prodhimit dhe shitjes se narkotikëve".
Lini një Përgjigje