
Edhe pse SPAK ka nisur disa hetime të suksesshme kundër rrjetit "Hawala", ekspertët ligjorë theksojnë se Shqipëria vazhdon të ketë mungesë të një baze ligjore specifike për trajtimin e këtij fenomeni. Gjithashtu, mungesa e bashkëpunimit të plotë nga autoritetet e Dubait mbetet pengesa kryesore për ekstradimin e personave të kërkuar.
Një shtetas shqiptar, prej vitesh i vendosur në Dubai, i njohur publikisht në rrethet ''VIP'' për lidhjet e tij me emra të artit, muzikës dhe rrjeteve sociale, ndodhet nën hetimin e koordinuar të katër shteteve . Kanë nisur procedurat për bashkëpunim ndërkombëtar për kapjen e tij, pasi dyshohet se drejton një rrjet të pastrimit dhe transferimit të parave përmes sistemit informal "Hawala"; një mekanizëm transferimi vlerash që po kthehet në armën e preferuar të krimit të organizuar shqiptar.
Burime pranë organeve ligjzbatuese shqiptare konfirmojnë se dosja përmban kërkesa për ekstradim dhe gjurmim pasurish në katër juridiksione njëherësh, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten streha e tij e sigurt. Për shkak të hetimeve në vijim, identiteti i tij mbetet për momentin i pa publikuar.

Çfarë është "Hawala", sistemi që po çon shqiptarët në kërkim ndërkombëtar
"Hawala" është një sistem i lashtë transferimi vlerash, i lindur në Azinë Jugore dhe i përhapur në Lindjen e Mesme përgjatë Rrugës së Mëndafshit. Fjala vjen nga arabishtja dhe do të thotë "transferim" ose "besim".
Ndryshe nga bankat tradicionale, "Hawala" funksionon pa lëvizur fizikisht paranë dhe pa lënë gjurmë dokumentare. Dërguesi në një vend i jep paratë një "hawaladari", merr një kod dhe "hawaladari" njofton homologun në vendin e destinacionit. Marrësi shkon te "hawaladari", jep kodin dhe merr paratë brenda 24 orëve. Borxhi mes dy "hawaladarëve" shlyhet më vonë përmes transfertave të kundërta, tregtie mallrash ose shërbimesh; pa asnjë lëvizje fizike parash.
Ky sistem sot është rizbuluar nga krimi i organizuar pikërisht për shkak të shpejtësisë, kostos së ulët dhe anonimitetit që ofron.
Në Shqipëri, sistemi "Hawala" ka filluar të zbulohet nga drejtësia vetëm në vitet e fundit. Por ajo që e bën të veçantë rastin e fundit është shkalla ndërkombëtare e kërkesës: gjashtë shtete evropiane kanë nisur procedurat për të njëjtin person.
- Më 14 korrik 2025, SPAK zbuloi rrjetin e udhëhequr nga Burim Ferizaj, Ervis Ferizaj dhe Përparim Kalbaj, të cilët organizuan transferimin e miliona eurove nga trafiku i drogës në Zvicër në Shqipëri përmes "Hawala"-s. Grupi përdorte zyra këmbimi valutor, agjenci transferimi parash dhe agjenci turistike si mbulesë. Komisioni i përfitimit ishte 6% e shumës së transferuar.
- Po në 2023, EUROPOL njoftoi çmontimin e një rrjeti kriminal të udhëhequr nga shqiptarë që pastronin para nga trafiku i drogës. "Hawaladarët" me origjinë shqiptare kryenin transfere dhe fshihnin shuma të mëdha parash nga shitja e drogës. Rrjeti, që bashkëpunonte me shtetas kinezë, arriti të pastronte mbi 65 milionë euro në më pak se një vit.
- Grupi kriminal me bazë në Vlorë, i goditur nga SPAK në mars 2026, përdorte sistemin "Hawala" për lëvizjen e parave të krijuara nga aktiviteti kriminal dhe për të financuar blerjen e lëndëve narkotike në Amerikën Latine. Nga ky hetim, SPAK zbardhi vrasjen e Gentian Qarrit dhe Bledar Birçajt në Vlorë më 2021, dhe përfshirjen e tyre në 4 tentativa trafiku të mbi 1 ton kokainë dhe afro 700 kg kanabis, deri tani.
- Një element kyç në të gjitha këto raste janë zyrat e këmbimit valutor. Në Shqipëri, numri i tyre është rritur nga 356 në 2014 në mbi 640 në fund të 2024. Komisionet për transfertat përmes "Hawala"-s shkojnë nga 6% deri në 15% të vlerës totale.
Dubai; streha e "hawaladarit" shqiptar
Në qendër të vëmendjes së autoriteteve shqiptare dhe evropiane prej muajsh ndodhet një shtetas shqiptar, prej vitesh i vendosur në Dubai.
Burime pranë hetimit konfirmojnë se ai dyshohet se drejton një rrjet ndërkombëtar të pastrimit të parave përmes "Hawala"-s. Disa shtete kanë nisur kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar për gjurmimin e pasurive të tij dhe ekstradimin e mundshëm.
Ndryshe nga rasti Ferizaj ku ishte SPAK ai që kërkonte bashkëpunimin e Zvicrës, në këtë rast janë vetë shtetet evropiane ato që kanë nisur procedurat; një tregues se shkalla e veprimtarisë së tij kriminale ka prekur drejtpërdrejt disa juridiksione dhe se provat janë të forta dhe të koordinuara.
Dyshohet se mashtrimet financiare të kryera përmes këtij rrjeti kanë pasoja të rënda në disa vende njëherësh, duke përfshirë evazion fiskal, pastrim parash dhe financim të aktiviteteve kriminale.
Emiratet e Bashkuara Arabe ofrojnë avantazhe kryesore për "hawaladarët": zero taksa, sistem bankar i lehtë, treg i lirë i arit dhe kriptomonedhave, dhe marrëveshje të kufizuara ekstradimi me vendet perëndimore. Pikërisht atje dyshohet se janë pastruar dhjetëra miliona euro me origjinë kriminale, të transferuara nga Shqipëria dhe vendet evropiane përmes "Hawala"-s.
Hetimi ndërkombëtar që po mbahet rezervë
Pavarësisht se emri i personazhit qendror nuk është bërë publik, burime për Pamfleti pohojnë se dosja e SPAK-ut dhe kërkesat e shteteve evropiane përmbajnë dëshmi të transfertave të shumta përmes zyrave të këmbimit valutor në Tiranë, lidhje të drejtpërdrejta me disa nga emrat më të njohur të rrjeteve sociale, prona dhe investime në Dubai dhe komunikime të zbardhura nga aplikacione të koduara si Sky ECC ku grupet kriminale diskutonin pagesat përmes "Hawala"-s.
"Hawaladarët" shqiptarë janë bërë një hallkë kyçe në pastrimin e parave të krimit të organizuar në të gjithë Evropën. Ky person nuk është thjesht një "hawaladar" i zakonshëm; ai ka ndërtuar një infrastrukturë të plotë financiare paralele që i shërben disa grupeve kriminale njëherësh.
Sfida e drejtësisë shqiptare
Edhe pse SPAK ka nisur disa hetime të suksesshme kundër rrjetit "Hawala", ekspertët ligjorë theksojnë se Shqipëria vazhdon të ketë mungesë të një baze ligjore specifike për trajtimin e këtij fenomeni. Gjithashtu, mungesa e bashkëpunimit të plotë nga autoritetet e Dubait mbetet pengesa kryesore për ekstradimin e personave të kërkuar.
Një tjetër problem është vetë natyra e "Hawala"-s. Siç tregohet në hetimet e SPAK-ut, ky sistem bën të pamundur për agjencitë e zbatimit të ligjit regjistrimin e transfertave, identifikimin e personave dhe verifikimin e burimit të parave. Edhe kur kapet një hallkë e rrjetit, gjurmët shpesh humbasin.
Sa do të zbardhë SPAK nga bisedat e Sky ECC dhe sa larg do të shkojë hetimi për "hawaladarin" e Dubait, mbetet për t'u parë. Dosja tashmë ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe gjashtë shtete evropiane presin përgjigje.
Një gjë është e sigurt: "hawaladarët" shqiptarë nuk janë më të padukshëm. /Pamfleti
Lini një Përgjigje