TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Prill 2024, 19:04

Mori 2 milionë lekë për të mos prishur ndërtimin pa leje, shpallet në kërkim vëllai i dhëndrit të Qazim Sejdinit

Shkruar nga Pamfleti
Mori 2 milionë lekë për të mos prishur ndërtimin pa
Qazim Sejdini

Kryeinspektori i INUV-it pranë bashkisë së Elbasanit, Andri Mehja është shpallur në kërkim pas akuzave për korrupsion, pasi dyshohet se i ka marrë një qytetari 2 milion lekë të vjetra, kundrejt lejimit të një objekti pa lejë.

Gjithashtu edhe vartës i tij inspektori Bardhyl Qehja është shpallur në kërkim nga policia, ku Gjykata ka lëshuar ndaj tyre urdhrin e "arrestit me burg".

Zyrtarët kanë marrë ryshfet për një objekt të ndërtuar pa leje në qytetin e Elbasanit. Mbi ta rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Mehja njihet në Elbasan si vëllai i dhëndrit të ish-kryebashkikaut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

"Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan shpallën në kërkim shtetasit A. M., 38 vjeç, me detyrë kryeinspektor në IMT Elbasan dhe B. Q., 50 vjeç, inspektor në IMT Elbasan. Për këta dy shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ata dyshohen se në muajin prill 2024, nuk kanë kryer detyrat funksionale për një objekt të ndërtuar pa leje, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, dhe kanë marrë ryshfet për këtë favorizim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, ndërkohë që vijon puna intensive për kapjen e këtyre 2 shtetasve", njofton policia.

Ndërkohë veprimet hetimore për këtë rast janë duke vijuar dhe për 5 zyrtarë të tjerë të kryeinspektoriatit ndërtimor në Elbasan, pasi janë përfshirë në veprime korruptive dhe “Shpërdorim detyre”. Rasti është duke u hetuar, pasi të tjerë zyrtarë të bashkisë së Elbasanit, janë implikuar dhe në afera të tjera korruptive.

Lini një Përgjigje