TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Dhjetor 2025, 13:35

Misteri i shpërthimit në Shkodër, njësia antieksploziv nis hetimet për pistën e tritolit; kush ishte objektivi?

Shkruar nga Pamfleti
Misteri i shpërthimit në Shkodër, njësia antieksploziv nis
Pamje nga vendi i shpërthimit

Grupi hetimor po mbledh pamjet nga kamerat e sigurisë, për të hedhur më shumë dritë mbi personin që mund të ketë vendosur lëndën plasëse...

Njësitë anti-eksploziv kanë marrë në dorë situatën lidhur me shpërthimin e ndodhur në Shkodër, ku një banor i një pallati humbi jetën teksa kalonte pranë matësve të energjisë elektrike.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 10:10 dhe policia lokale nxitoi duke e klasifikuar shpërthimin si të lidhur me një defekt të matësve elektrikë. Por OSHEE në një reagim hodhi poshtë këtë dyshim.

Viktima Hysni Ymeri, 67 vjeç, banor i lagjes “Manush Alimani”, po dilte nga pallati, në momentin kur ndodhi shpërthimi.

“Rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike. Si pasojë u dëmtua një shtetas, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër”, njoftoi sot policia.

Por OSHEE, pak minuta më pas, përjashtoi pistën e shpërthimit të matësve elektrikë, duke shtuar misterin mbi ngjarjen.

Kjo situatë ka bërë që vëmendja të përqëndrohet te një tjetër pistë, ajo e vendosjes së një sasie lënde plasëse te kutia e matësve elektrikë, e cila ka shpërthyer. Pikërisht kjo po hetohet nga njësia anti-eksploziv, e cila duhet të përcaktojë shkakun e shpërthimit, lëndën plasëse të vendosur dhe si është aktivizuar ajo.

Nga të dhënat e para mendohet se lënda plasëse është tritol, ndërsa pikëpyetjet që lindin janë se kush ishte objektivi.

Viktima nuk ka pasur të shkuar problematike, as probleme me gjakmarrjen, çka rrëzon dyshimet se atentati ishte përqëndruar ndaj tij. Në këto kushte, pasi rrëzohet pista e shpërthimit të matësve elektrike, sikundër nxitoi policia lokale të klasifikonte ngjarjen, hetuesit duhet të zbardhin se ndaj kujt ishte organizuar ky atentat?

Për këtë arsye, grupi hetimor po mbledh pamjet nga kamerat e sigurisë, për të hedhur më shumë dritë mbi personin që mund të ketë vendosur lëndën plasëse.

Po kështu po mblidhen të dhëna lidhur me banorët e pallatit ku ishte vendosur lënda plasëse, pra nëse ndonjë prej tyre mund të ketë pasur probleme, duke synuar kështu të ngushtohet rrethi për gjetjen e objektivit.

Dyshimet e para janë se lënda plasëse mund të jetë aktivizuar përmes një numri celular, çka ka detyruar hetuesit që të kërkojnë lidhur me qeliza të thirrjeve telefonike në momentin e shpërthimit.

Në këtë mënyrë, ajo që u tentua të mbyllej si një shpërthim i ndodhur për shkak defekti në panelin e matësve elektrikë, po rezulton një ngjarje kriminale, ku humbi jetën një person, ndërsa Policisë së Shkodrës dhe oficerëve të krimeve të rënda që kanë udhëtuar nga Tirana, duhet të përcaktojnë llojin e shpërthimit, sasinë e lëndës plasëse, si është aktivizuar ajo dhe kush ishte objektivi. /Pamfleti/

shkoder shperthimi viktima pistat

Lini një Përgjigje