
Merr tjetër kthesë hetimi i policisë për atentatin e ndodhur ditën e djeshme në Athinë, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Irakli Davella nga fshati Mesopotam i Bashkisë Finiq dhe u plagos 46-vjeçari Edi Lulo, lindur në Gjon të Pukës dhe banues në Kamëz.
Policia greke konfirmon se objektivi i atentatit ishte Edi Lulo (Edmond Hysa), një person i fuqishëm me origjinë nga Burreli.
46-vjeçari kishte ndërruar identitetin, ndërsa rezulton i dënuar në Greqi për ngjarjen e vitit 2011, ku u mbajtën peng disa avokatë në Dhomën e Avokatëve të Athinës dhe u grabitën 405.000 euro. Bashkë me këtë ngjarje ai u akuzua dhe dënua edhe për grabitje të tjera. Pasi kreu burgun, mësohet se u riatdhesua në Shqipëri. Kohët e fundit jetonte në Dubai dhe në datën 9 dhjetor ka ardhur në Greqi me identitetin Edi Lulo. Me këtë identitet rezulton i riregjistruar edhe në Shqipëri, ku rezulton edhe pronar i një biznesi në Durrës.
Burime bëjnë me dije se nga ana e policisë greke janë mbledhur disa të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Para ngjarjes së rëndë, Edi Lulo dhe Irakli Davella po pinin kafe bashkë me dy persona të tjerë. Njëri ishte çuar më para nga tavolina, ndërsa ngjarja ka ndodhur kur Lulo, Davella dhe personi i tretë po shkonin për tek automjetet e tyre. Sapo kanë nisur të shtënat, personi i tretë është larguar dhe po kërkohet ende nga policia për të dhënë dëshmi.
46-vjecari Edi Lulo ndodhet në gjendje të rëndë pasi ka marrë plagë në kokë dhe bark.
Lini një Përgjigje