
Një tjetër i burgosur ka përfunduar në regjimin e sigurisë “41 Biss”. Bëhet fjalë për Altin Kodrën, i dënuar me 22 vite burg. Ai do të qëndrojë 1 vit i izoluar, pasi shihet si kërcënim nga institucionet ligjzbatuese.
Altin Kodra është dënuar me 22 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr. 236, datë 10.06.2008, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 76 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Kodra vuan dënimin me 22 vjet burg për vrasjen e biznesmenit të tullave në qytetin e Shkodrës, Zamir Bilali. Ngjarja ndodhi më 14 gusht të vitit 2006, pas një grindjeje mes Kodrës dhe Bilalit, fqinjë mes tyre.
Kodra është një emër i njohur, pasi disa vite më parë ka qenë pjesë e një tentative arratisje nga burgu. Ngjarja ndodhi në vitin 2011, ku katër të burgosur në burgun e sigurisë së lartë të Fushë-Krujës, tre prej të cilëve të dënuar me burgim të përjetshëm, u zbuluan në momentet e fundit në tentativë për t’u arratisur. Forcat e sigurisë i panë ata në tarracën e njërës prej godinave të burgut, në tentativë për t’u hedhur prej saj deri në gardhin rrethues të burgut. Alarmi i dhënë edhe me të shtëna arme nga roja që i ka pikasur i pari, ka çuar në këmbë të gjithë efektivat e burgut, të cilët ndërhynë në kohë duke evituar arratinë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se të burgosurit që tentuan të arratiseshin janë: Gëzim Guri, 34 vjeç, dënuar me burgim të përjetshëm, Fran Marashi, 33 vjeç, dënuar me burgim të përjetshëm, Prel Vucaj, 39 vjeç, dënuar me burgim të përjetshëm dhe Altin Kodra, i dënuar me 22 vjet heqje lirie.
“Forcat e sigurisë të institucionit kanë konstatuar katër të dënuar të sigurisë të lartë në përpjekje për t’u larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Pasi kanë dëmtuar murin e brendshëm të dhomës ku ata qëndronin, kanë prerë 3 hekura të dritares dhe kanë dalë nga dhoma. Ata janë vënë re nga polici i shërbimit, i cili ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të Policisë së Burgjeve. Personat janë neutralizuar menjëherë, pa arritur të përmbushnin qëllimin e tyre. Janë marrë të gjitha masat dhe këta të dënuar janë izoluar në dhoma të veçanta”, thuhej në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve në atë kohë.
Sipas burimeve, personat në bashkëpunim kanë përdorur një thikë diamanti me të cilën kanë prerë hekurat e dritares në katin e dytë. Më pas ata janë hedhur prej saj në oborr duke u futur në korridorin e një ndërtese tjetër, prej së cilës kanë mundur të ngjiten në tarracë. Mësohet se aty kanë qëndruar për rreth 20 minuta, duke tentuar të orientohen në drejtimin që do të merrnin për të arritur në pjesën ku ishte bërë gati çarja e telave të rrethimit. Pikërisht në këtë moment janë zbuluar nga njëri prej rojeve të sigurisë që ka dhënë alarmin.
Lini një Përgjigje