
Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona të cilët janë kapur teksa qarkullonin me një armë zjarri pistoletë në makinë. Në panga kanë rënë, Klejdi Yzeiraj 35 vjeç, Enton Mehmeti 41 vjeç dhe Amarildo Nazari, 32 vjeç.
Gjatë momentit kur janë ndaluar nga policia, ka qenë Amarildo Nazari ai që drejtonte automjetin, ndërsa 41 vjeçari kërcënoi efektivin e policisë. Pas kontrollit të bërë, Klejdi Yzeirajt i është gjetur arma pa leje, ndërsa shoferi i automjetit dha deklaratë të rreme duke thënë se pistoleta ishte e tij.
Gjatë kontrollit të automjetit, u zbuluan dhe dy mjete të forta (çekiçë) të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
"Gjatë operacionit, në rrugën “Muzakët”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. N., dhe pasagjerë shtetasit K. Y., dhe E. M. Në momentin e ndalimit, shtetasi E. M., ka kanosur punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K. Y., shërbimet e Policisë i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, për të cilën drejtuesi i automjetit, shtetasi A. N., ka dhënë deklaratë të rreme, se arma ishte e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me krehër me 6 fishekë, një automjet, dhe dy mjete të forta (çekiçë), të gjetura gjatë kontrollit të automjetit.
Vijon puna për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së armës së zjarrit dhe sendeve të forta, nga 3 të arrestuarit.", shkruan Policia.
Lini një Përgjigje