
‘The Sun’: Mafiozët shqiptarë po trajnohen nga vrasësit meksikanë...
Trupi i pajetë i Bekim Halilajt, 29 vjeç, u gjet i varur në një tabelë rrugore në periferi të Brukselit muajin e kaluar, një skenë kaq makabre saqë kalimtarët menduan fillimisht se ishte një dekor për Halloëeen. Por shumë shpejt tmerri u kthye në realitet: bëhej fjalë për një vrasje të vërtetë, të stilit brutal që prej kohësh shoqëron bandat meksikane të drogës.
Halilaj, i cili tetë vite më parë kishte përmbytur qytetin britanik Southampton me kokainë me vlerë 4 milionë paund, besohet të jetë ekzekutuar nga rrjeti kriminal që e paguante, pas humbjes së një ngarkese të madhe droge. Sipas mediave belge, ai u rrëmbye, u vra dhe më pas u ekspozua në publik si paralajmërim për këdo që “guxon të na dëmtojë”.

Ekspertë të sigurisë dhe kriminologë shqiptarë konfirmojnë se kjo ngjarje nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një fenomeni më të gjerë ku grupet kriminale shqiptare po adoptojnë teknikat e dhunshme të kartelëve meksikanë.
Profesori i kriminologjisë në Universitetin e Tiranës, Ervin Karamuço, deklaron se grupet shqiptare po trajnohen në “shkolla torture” të kartelëve të njohur si “sicarios”, vrasës me pagesë, të cilat i shërbejnë tashmë si konsulentë në botën e krimit shqiptar. Sipas tij, këto taktika janë kthyer në “vegla shumë efektive për të vendosur kontroll, frikë dhe autoritet mbi tregtinë e drogës”.
Karamuço shton se përfaqësues të grupeve shqiptare, të cilët i quan “ambasadorë të mafies”, qëndrojnë prej vitesh në Amerikën Latine, jo për turizëm, por për të krijuar marrëveshje direkte me kartelët e drogës dhe për të sjellë “ekspertizën” e tyre në Europë.

Shembujt janë të shumtë. Viktimat e bandave shqiptare në Britani janë torturuar, djegur të gjallë në makina, u janë hequr thonjtë, janë zhdukur pa gjurmë. Rasti i një shqiptari të rrëmbyer në Londrën Lindore në vitin 2022, i cili u mbajt peng për katër ditë dhe u torturua për një borxh të lidhur me shtëpitë e kanabisit, është vetëm një nga shumë që tregon brutalitetin në rritje të këtyre grupeve.
Në një rast tjetër, trupi i Agim Hoxhës, një trafikant shqiptar droge, u gjet i djegur në një makinë Mercedes në Southampton në vitin 2012. Vrasësi i tij, Arben Lleshi, u dënua me 32 vite burg dhe më pas u transferua në Shqipëri, ku në vitin 2023 u qëllua për vdekje brenda burgut të Peqinit – një tjetër “mesazh” mafioz i koduar.
Rasti i Halilajt është një pikë kulmore në spiralen e dhunës mafioze që po shtrihet nga Amerika Latine në zemër të Europës, me metodat e kartelëve meksikanë tashmë të adoptuara nga rrjetet shqiptare. Vetë gazetari investigativ Artan Hoxha e përshkruan këtë si një “nivel të paprecedent të brutalitetit, që tregon deri ku janë të gatshme të shkojnë organizatat kriminale shqiptare për të ruajtur kontrollin dhe frikën”.
Dhe ndërsa skena të tilla makabre, si trupa të varur, pjesë trupash në frigoriferë apo prerje koke, ishin dikur të rezervuara për Meksikën, sot ato po ndodhin në Bruksel, Londër apo Amsterdam, duke e kthyer trafikun e drogës në një luftë të heshtur, por të përgjakshme, në zemër të Evropës. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Sun”
Lini një Përgjigje