
Autoritetet greke, me ndihmën e analizave të ADN-së, kanë identifikuar një 31-vjeçar shqiptar si një nga kultivuesit e një plantacioni të madh marijuane në zonën pyjore të Rogdias, në pronësi të Manastirit Savvathian.
Sipas raportimeve të mediave greke, gjurmët e gishtërinjve dhe materiali gjenetik i shqiptarit janë gjetur në disa nga provat e sekuestruara gjatë operacionit policor të kryer në shtator të vitit 2022.
Identifikimi u krye me asistencën e Interpolit dhe aplikacionit SIRE.NE përmes autoriteteve franceze, pasi i dyshuari kishte qenë subjekt i hetimeve edhe në këtë shtet.
Plantacioni i zbuluar ishte i ndarë në dy parcela dhe përmbante 1150 rrënjë kanabisi, disa prej të cilëve arrinin deri në tre metra lartësi dhe ishin në fazë të plotë pjekurie.
Gjatë operacionit, Policia e Heraklionit sekuestroi gjithashtu 27 kilogramë kanabis të tharë.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm në këtë aktivitet të paligjshëm.
Lini një Përgjigje