TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Mars 2025, 11:11

Arrestimi i dy të rinjve në Shkodër, zbulohet banesa e dytë e 32-vjeçarit Mikelian Toma; i gjenden armë dhe municion luftarak

Shkruar nga Pamfleti
Arrestimi i dy të rinjve në Shkodër, zbulohet banesa e dytë
Foto Ilustruese

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja në Shkodër ku 32-vjeçari Mikelian Toma u arrestua së bashku me një 34-vjeçar, duke udhëtuar me motomjet me targë të vjedhur dhe numër shasie të ndryshuar.

Sipas policisë, 32-vjeçari, i cili ishte drejtues i motomjetit, kishte në përdorim një banesë tjetër në fshatin Dajç, pronari i së cilës shtetasi me iniciale G.V., është rezident në Itali.

Nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se i kishte siguruar dhe i mbante Mikelian Toma.

Dy të rinjtë u arrestuan më 27 Mars, ku gjatë patrullimit blutë kanë konstatuar në lagjen “Ndoc Mazi” një motomjet që lëvizte me shpejtësi dhe i kanë bërë shenjë ndalimi.

Por, 32-vjeçari Mikelian Toma, i cili drejtonte motomjetin dhe 34-vjeçari David Simoni, pasagjer, nuk iu bindën urdhrit të Policisë duke u larguar. Shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje dhe e kanë ndaluar motomjetin, duke vendosur në pranga dy të rinjtë.

Gjithashtu, janë kryer kontrolle në automjetet e 2 shtetasve, ku janë gjetur një bidon me lëndë djegëse, një silenciator dhe një sasi kokaine.

"Policia gjen dhe sekuestron 2 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të veprimeve hetimore lidhur me arrestimin e dy shtetasve M. T., dhe D. S., të cilët u arrestuan më datë 26.03.2025, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Vjedhje”, e kryer në bashkëpunim, pasi nuk iu bindën urdhrit të Policisë, për të ndaluar motomjetin e vjedhur me të cilin lëviznin, kanë siguruar informacion se njëri prej shtetasve të arrestuar kishte dhe një banesë tjetër në përdorim.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi M.T, kishte në përdorim banesën e shtetasit G.V., në fshatin Dajç (pronari i banesës rezident në Itali).

Nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, 2 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se i kishte siguruar dhe i mbante shtetasi i arrestuar M.T. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”", njofton policia.

Lini një Përgjigje