Ministri i Drejtësisë paralajmëron se në bashkëpunim me SPAK, të tjerë të dënuar do t’i nënshtrohen këtij regjimi.
Anëtari i “Bandës së Babagjyshave”, Albert Kupa është izoluar në qeli. Urdhri është dhënë nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, pasi ka dyshime se Kupa mbante kontakte me jashtë për të vijuar aktivitetet kriminale.
Albert Kupa (alias Ilir Kupa), po vuan dënimin për 6 vepra të ndryshme penale në burgun e Peqinit. Pas këtij urdhri, ai do të transferohet në regjimin e posaçëm "41/bis".
Ministri i Drejtësisë paralajmëron se në bashkëpunim me SPAK, të tjerë të dënuar do t’i nënshtrohen këtij regjimi.
“Jemi të vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë në të gjitha burgjet e vendit dhe cilido i dënuar thyen rregulloren e burgjeve, apo kryen vepra penale në burg duke cënuar rendin dhe sigurinë në IEVP, do t’i nënshtrohet këtij regjimi sipas ligjit”, ka deklaruar Manja.
Ky shtetas në vitin 2014-2015, ka qenë i përfshirë në aktivitetin kriminal të grupit të “Babagjyshëve”, pjesëmarrës në disa vjedhje/grabitje, si dhe dhënien e vlerave monetare me përqindje. Gjithashtu, ka qenë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti grek.
Sipas burimeve edhe në vitin 2020, Kupa u fut në regjimin “41 bis”, por duket se ka vijuar shkeljet dhe Manja ka urdhëruar rikthimin aty.
Banda e Babagjyshëve në Shqipëri ka realizuar një sërë grabitjesh, ku spikat ajo e vjedhjes së një qendre tregtare në prag të vitit të Ri, ku disa persona të veshur si Babagjyshë u futën me armë në një argjendari dhe morën me vete florinj.
Pas arrestimit në vitin 2014, Kupa u dënua me 23 vite burg. Grupi përbëhej nga 11 persona të cilët morën emrin “Banda e Babagjyshave”. Ata ishin: Ilir Kupa; Fatmir Pjetri; Agustin Sula; Julian Qerushi; Dritan Kola; Saimir Kala; Mark Shpendi; Hajdar Sefa; Lin Kala; Edmond Selala dhe Angjelin Ndreka.
Lini një Përgjigje