
Një agjenci private sigurimesh në Durrës ishte shndërruar në një “strofull” ku shitej kokainë dhe kanabis, në doza, për rrjedhojë Policia ka vënë në pranga 3 persona.
Një prej të arrestuarve është edhe pronari i kësaj agjencie. Nga sa bëhet e ditur, uniformat blu kanë arrestuar Ermand Bejdo 37 vjeç (pronari), Edmond Mehmeti 41 vjeç dhe Alen Gjyzeli, 19 vjeç, të tre banues në lagjen nr. 14, Durrës
Referuar burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve në agjenci, u gjetëm kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza të gatshme për shitje, një shumë parash (në lekë dhe në euro) e dyshuar e përfituar nga shitja e tyre, 1 peshore elektronike, 1 përforcues grushti (që iu gjet Alen Gjyzelit) dhe 3 celularë.
"Si rezultat i një hetimi disajavor, të ndjekur me metoda speciale, nga Policia dhe Prokuroria e Durrësit, në vijim të punës kundër krimeve në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme "Shqiponja", kanë finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Agjencia", si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:
E. B., 37 vjeç, E. M., 41 vjeç dhe A. Gj., 19 vjeç, të tre banues në lagjen nr. 14, Durrës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur një agjenci private sigurimesh, në pronësi të shtetasit E. B., në lagjen nr. 14, për shitjen e lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, në doza.
Gjatë kontrolleve të imtësishme në këtë ambient, si dhe ndaj shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza të gatshme për shitje, një shumë parash (në lekë dhe në euro) e dyshuar e përfituar nga shitja e tyre, 1 peshore elektronike, 1 përforcues grushti (që iu gjet shtetasit A. Gj.) dhe 3 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.", njofton Policia.
Lini një Përgjigje