
Policia kufitare ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në Portin e Durrësit dhe në aeroporin e Rinasit që nuk ishin deklaruar në kufi, ndërsa në pranga kanë rënë dy persona.
Në portin e Durrësit u sekuestruan 82 mijë e 550 € të cilat ishin fshehur në pjesën e banjës në autobosit të linjës Bari-Durrës.
Ndërkohë në Rinas është arrestuar një 28 vjeçar banues në Londër pasi në çantën e shpinës policia i gjeti 12 820.
Në Durrës mbi 80 mijë euro
Në portin e Durrësit u finalizua operacioni policor i koduar “Fluksi 2”, i cili u mbeshtet në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, si dhe u bazua në analizën e riskut. Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, shoferë të të cilit ishin shtetasit Gentian Latifi dhe Vullnet Elezi, përkatësisht 43 dhe 52 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë autobus, i kryer duke përdorur metoda bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 82 550 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.
Në Rinas me gati 13 mijë paund në çantën e shpinës
Në Rinas, në bazë të analizës së riskut, në hyrje të vendit, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm shtetasi K. M. Në çantën e shpinës së këtij shtetasi, Policia gjeti 12 820 paund të cilat ky shtetas tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 28 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Londër, si dhe u sekuestrua shuma e parave.
Në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre 2 rasteve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit dhe asaj të Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Lini një Përgjigje