TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Maj 2026, 14:40

“Kam qenë në shtëpi”, Gjykata lë në burg 22-vjeçarin e dyshuar për vjedhjen e argjendarisë në Kamëz

Shkruar nga Pamfleti
“Kam qenë në shtëpi”, Gjykata lë në burg
Grabitja

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 60 ditë ndaj 22-vjeçarit Elez Hysa, i dyshuar si një nga autorët e grabitjes së argjendarisë në Kamëz.

Gjatë seancës gjyqësore, i riu ka mohuar përfshirjen në ngjarje, duke deklaruar se në momentin e grabitjes ndodhej në banesë.

“Banesa ime me vendin ku ka ndodhur ngjarja është 47 km larg pasi jetoj në Malësinë e Krujës. Motori im nuk ka përmasat e mjetit të përdorur nga autorët”, tha 22-vjeçari.

Policia e arrestoi Elez Hysën si një nga autorët e dyshuar të grabitjes, ndërsa gjatë hetimeve pranë banesës së tij janë gjetur veshje të ngjashme me ato të përdorura nga autorët, pjesërisht të djegura, si dhe kuti boje që dyshohet se përputhen me ngjyrën e motorit të përdorur në ngjarje dhe me të cilën mjeti mund të jetë modifikuar.

Sipas hetuesve, kamerat e sigurisë ndihmuan në gjurmimin e itinerarit të përdorur nga autorët gjatë largimit, duke çuar policinë drejt zonës ku banonte 22-vjeçari.

Elez Hysa rezulton gjithashtu me precedent penal për kultivim të lëndëve narkotike. Ndërkohë, policia ka identifikuar edhe autorin tjetër të dyshuar dhe po vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Deri tani nuk janë gjetur as motori i përdorur gjatë grabitjes dhe as arma e zjarrit me të cilën u kërcënua punonjësja e argjendarisë, nga ku autorët morën bizhuteri me vlerë rreth 7 mijë euro.

Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës, më 16 maj, kur dy persona të armatosur dhe me skafandra në kokë hynë në argjendari dhe brenda më pak se një minute grabitën bizhuteri me vlerë të konsiderueshme.

 

Lini një Përgjigje