Drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u shpreh i sigurt në një dalje për mediat se biznesmeni Ardian Nikulaj është vrarë për motive gjakmarrje.
Rrumbullaku bën me dije se janë shpallur në kërkim 6 persona për vrasjen e Nikulajt. Ai u shpreh se ekzekutori i Nikulajt ka qenë një portugez i cili ka bashkëpunuar me 5 shtetas të tjerë të huaj. Mes tyre është edhe një shtetas shqiptaro-britanik dhe një grua.
"Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e autorësisë dhe kryerjen së veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Policia e Shtetit e vlerësoi maksimalisht këtë ngjarje, për zbardhjen e së cilës grupi hetimor ka këqyrur, vlerësuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sërë provash të vlefshme që shërbyen për dokumentimin e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
• Gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm;
• Një predhë model 54, kalibër 7.62 mm;
• Letërnjoftim;
• Celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike dhe filmike
Njëkohësisht, grupi hetimor ka vijuar me veprime të shpejta procedurale si: marrje të deklarimeve, këqyrje dhe sekuestrim pamjesh filmike në vendin e ngjarjes, këqyrje të itinerarit të përshkruar nga autorët e dyshuar që lidhen me kohën dhe vendin para dhe pas kryerjes së ngjarjes së rëndë kriminale. Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje. Nga veprimet procedurale të kryera për këtë ngjarje janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Përsa i përket automjeteve të përdorura për kryerjen e krimit nga autorët e dyshuar është dokumentuar përdorimi i tyre nga personat e dyshuar për një periudhë kohore për realizimin e vrasjes. Në përfundim të këtyre veprimeve paraprake, nga provat shkencore të siguruara, deklarimet dhe sekuestrimet në cilësinë e provës materiale të sipërpërmendura, nga Prokuroia pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë janë caktuar masat e sigurisë për 6 shtetas, si autorë të dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit, dhe konkretisht:
E. H., shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike,
R. R. S., shtetas portugez,
H. J. S., shtetas britanik,
H. B., shtetase britanike,
TH. M., shtetas britanik,
S. P. H, shtetas britanik,
Grupi hetimor vijon punën hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të organizimit dhe financimit, për ekzekutimin kriminal të shtetasit Ardian Nikulaj. Gjithashtu grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit."-njoftoi Rrumbullaku.
Lini një Përgjigje