Muçi Shaljani allias Sheqeri i cili mbeti i plagosur në atentatin në Rinas prej 3 muajsh shërbente si agjent i Mbikëqyrjes Policore.
Sipas mediave, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (DSIK), institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së bëjnë me dije se Muçi Sheqeri nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie, ndaj ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën e punësimit të tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Sheqeri është punësuar në muajin shtator kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi.
Si ndodhi ngjarja
Ka qenë ora 14:30 e të martës (11 nëntor) kur persona ende të paidentifikuar sulmuan me breshëri kallashnikovi makinën ku ndodhej Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani Sheqeri. Ngjarja ndodhi në rrethrrotullimin e Rinasit, kur dy personat sapo kishin ardhur nga Spanja.
Autorët kanë qenë të maskuar me veshje me ngjyrat e rrobave të policisë, me maska dhe kapele, ndërkohë që pasi makina e dy personave të sulmuar nuk ka vijuar të ecë, personi që ka qenë në tokë, ka lënë kallashnikovin dhe me pistoletë, ka hapur derën e pasagjerit që kishte ndërruar jetë dhe ka qëlluar sërish mbi të.
Atentatorët kanë ikur në drejtim të Fushë-Krujës, si gjithnjë kur ndodhin krime në atë zonë dhe kalimtarë të rastit janë afruar për të hapur derën e shoferit të mjetit, pasi është parë që kishte shenja jete. Dera nuk hapej. Policia shkoi aty, por pas qytetarëve, me duar në xhepa.
Një person, civil, thyen xhamin e mjetit, hap derën dhe nxjerr me pak shenja jete jashtë shoferin, që rezultoi të ishte një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa i pajetë në sediljen e parë të mjetit ishte Gilmando Dani, 47 vjeç, një emër shumë i njohur në vendin tonë, më shumë se sa për bëmat e tij, për miqësinë dhe kudondodhjen me Emiljano Shullazin, një prej emrave proverbial të krimit në vendin tonë.
Po ndërsa Shullazi vijon të jetë në qeli, i dënuar dhe me dy masa arresti të tjera shtesë, Gilmando Dani kishte fituar lirinë rreth një vit më parë, ndërsa kishte tentuar të niste edhe jetë të re. Por më 7 nëntor ai është nisur në drejtim të Barcelonës bashkë me mikun e tij të policisë dhe u kthye dje, për të mos dalë i gjallë nga aeroporti.
Lini një Përgjigje