
Kanë kaluar 6 ditë nga ekzekutimi ndaj Kristian Markut në aksin Vlorë-Fier, por policia ende nuk ka gjetur gjurmë nga autorët. Deri më tani, grupi hetimor ka arritur të sigurojë imazhet të makinës së autorit dhe asaj të viktimës vetëm nga kamerat e sigurisë në një karburant. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në pamje dallohet momenti i kalimit të dy automjeteve.
Autorët e kanë ndjekur viktimën dhe më pas e kanë qëlluar, duke iu afruar me sinjal ndezur dhe duke u përpjekur të parakalojnë paralel. Në dëshmitë e mbledhura nga grupi hetimor, dëshmitarët kanë raportuar se fillimisht është dëgjuar një e shtënë dhe më pas, makina e autorëve me sinjal ndezur ka parakaluar makinën që drejtohej nga Kristian Marku, dhe më pas e kanë qëlluar.
Janë dëgjuar frenimet dhe fërkimet e gomave të automjeteve në autostradë dhe pasi autorët e kanë qëlluar të paktën 13 herë Markun, makina e tij është përplasur disa herë me trafik ndarësen.
Atentati ndaj Kristian Markut
Kristian Marku u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë pasditen e 13 janarit 2025, ndërsa autorët që dyshohet se kanë qenë 3, të cilët, i kanë zënë pritë në mbikalimin e Novoselës. Autorët dogjën mjetin tip ‘Golf’ rreth 1 km larg vendit të ngjarjes dhe më pas dyshohet se janë larguar drejt Fierit. Mjeti i autorëve ka qenë me targa të vjedhura, ndërsa brenda tij nuk është gjetur arma e krimit.
Ekzekutimi i 30-vjeçarit nga Rrësheni Kristian Marku dyshohet se ka lidhje me përplasjen e dy fiseve të Mirditës, Reçi e Bardhi. Policia shoqëroi edhe 4 anëtarë të fisit Reçi, mes tyre nipi i Kastriot Reçit, i vrarë me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020, por ata kanë mohuar lidhjen me ngjarjen. /Shqiptarja.com
Lini një Përgjigje