TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Shkurt 2026, 15:48

Hakmarrja dyshohet se tronditi sërish Lezhën, zhduket pa gjurmë nipi i Ardian Nikulajt; policia në kërkim të tij

Shkruar nga Pamfleti
Hakmarrja dyshohet se tronditi sërish Lezhën, zhduket pa gjurmë
Berberhanja e sulmuar me breshëri plumbash

Dinamika e plotë e atentatit në Lezhë...

Hetimet për atentatin me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës kanë sjellë në dritë detaje të reja, ndërsa policia dyshon se shënjestra kryesore e sulmit ishte 21-vjeçari Merando Nikulaj. Ai është nipi i Ardian Nikulajt dhe, sipas burimeve hetimore, pas ngjarjes rezulton i zhdukur. Dyshohet se i riu ndodhej brenda berberhanes në momentin e atentatit dhe mund të jetë larguar menjëherë pas të shtënave. Policia është vënë në kërkim të tij.

Ngjarja ndodhi në ambientet e berberhanes në pronësi të 30-vjeçarit Sokol Daci, i njohur në zonë si “Berber Coli”. Autorët mbërritën me dy automjete, një Audi dhe një Volkswagen Passat. Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se në atentat u përfshinë shtatë persona dhe dy prej tyre zbritën nga makinat dhe qëlluan me breshëri arme automatike drejt lokalit. Si pasojë, Sokol Daci u plagos me tre plumba në shpatull, bark dhe këmbë. Ai u transportua drejt Spitalit të Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Daci nuk rezulton person me precedentë penalë dhe njihet në komunitet si një qytetar pa probleme.

Në momentin e sulmit, brenda berberhanes ndodheshin disa persona, përfshirë edhe një punonjës policie, i cili ka deklaruar se ishte aty rastësisht dhe se ka qëlluar me armë zjarri me qëllim neutralizimin e autorëve. Policia dyshon se ka pasur edhe kundërpërgjigje me armë zjarri, ndërsa objektivi i atentatit është larguar nga vendngjarja. Hetuesit po analizojnë gjurmët e gjakut të gjetura në vend, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës së ADN-së, për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të plagosur.

Nga breshëritë e plumbave janë goditur edhe dy biznese të tjera përballë berberhanes, ku katër plumba kanë përfunduar në fasadat e tyre, pa shkaktuar të lënduar. Policia ka intensifikuar kontrollet në spitale dhe klinika private në Lezhë dhe zonat përreth, pasi dyshohet se edhe shënjestra e atentatit mund të ketë marrë plagë dhe të ketë kërkuar ndihmë mjekësore në mënyrë të fshehtë. Një tjetër pistë hetimore lidhet me një konflikt të ndodhur gjatë verës së kaluar në Shëngjin, ku dyshohet se Merando Nikulaj ka qenë i përfshirë.

Ardian Nikulaj u vra më 19 prill 2023 në Shëngjin, brenda lokalit të tij. Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri nga një shtetas i huaj, i cili hyri i maskuar në ambientet e biznesit dhe hapi zjarr në drejtim të tij. Autori u largua menjëherë nga vendngjarja, ndërsa Nikulaj ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. /Pamfleti

 

lezhe atentat nikulaj

Lini një Përgjigje