
Policia e Shkodrës ka goditur një rast të ushtrimit të prostitucionit, duke arrestuar pesë persona dhe proceduar penalisht një tjetër.
Në pranga kanë përfunduar tre shtetase nga Kolumbia, të cilat ushtronin prostitucion në dy apartamente të marra me qira, si dhe dy persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Ndërkohë, është nisur procedim penal ndaj shtetases që ua kishte dhënë me qira ambientet.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga prostitucioni, si dhe gjashtë telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e aktivitetit.
“Shkodër / Finalizohet operacioni policor i koduar “Rent Home 3”, goditet një tjetër rast i prostitucionit. Vihen në pranga 3 shtetase kolumbiane, që ushtronin prostitucion në dy apartamente që i kishin marrë me qira.
Vihen në pranga edhe 2 shtetas për prostitucion, si dhe procedohet penalisht shtetasja që ua kishte dhënë me qira apartamentet. Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, si dhe 6 telefona celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rent Home 3”.
Si rezultat i këtij operacioni, u zbulua një apartament në lagjen “3 Heronjtë”, ku ushtrohej prostitucion.
Në kuadër të operacionit u arrestuan 5 shtetas, të kapur në ambientet e apartamentit, konkretisht:
shtetaset kolumbiane A. M., 48 vjeçe, P. B., 32 vjeçe dhe D. R., 27 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira apartamentin dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit; -F. V., 28 vjeç, banues në fshatin Vermosh, dhe K. G., 24 vjeç, banues në Bajzë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen D. D., 27 vjeçe, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje