Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e Xhelal Rrajës për ndryshimin e masës së sigurisë, duke vendosur lirimin e tij nga qelia dhe caktimin e masës “arrest shtëpie”.
Sipas vendimit të gjykatës, Rraja do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore dhe do t’i ndalohet çdo formë komunikimi me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton në të njëjtën banesë.
Xhelal Rraja ishte arrestuar në korrik të vitit 2024, pasi ishte shpallur më herët në kërkim. Ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në burg” në kuadër të operacionit të SPAK “Revanshi”, ku ai akuzohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjes.
Rraja njihet si vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, dhe emri i tij del në përgjimet e dosjes “Metamorfoza”, ku sipas SPAK, ai përdorte një telefon SKY me pseudonimin “H2”. Prokuroria e Posaçme e konsideron Xhelal Rrajën pjesë të strukturave kriminale të drejtuara nga Durim Bami dhe Endrit Dokle, të cilët dyshohet se planifikuan atentatin ndaj ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Sipas hetimeve, plani për vrasjen e Ndokës u ndërtua në bashkëpunim mes këtyre personave, përfshirë edhe Marklen Hakën.
Emri i Xhelal Rrajës është përfshirë gjithashtu në ngjarjen e dhunshme të ndodhur në Thumanë, ku u rrahën dy kushërinjtë Jashar dhe Bilbil Maja, episod që çoi më pas në dorëheqjen e vëllait të tij nga mandati i deputetit. Edhe pse u shpall në kërkim pas kësaj ngjarjeje, ai nuk u arrestua në atë kohë.
Gjatë viteve, Rraja është shoqëruar disa herë nga Policia e Shtetit, por ka pretenduar se ndalimet ndaj tij ishin të padrejta, duke i cilësuar si sulme të nxitura nga kundërshtarë personalë. Në deklarimet e tij publike, ai ka akuzuar policinë për veprime të qëllimshme ndaj familjes së tij.
Pak kohë më parë, Policia ndaloi në zonën e Kodër-Kasharit Ramazan Rrajën dhe Rexhep Rrajën, djalin dhe nipin e ish-deputetit Rrahman Rraja, të cilët u kapën duke lëvizur me automjete të blinduara. Në atë kohë, Xhelal Rraja reagoi publikisht, duke mohuar se djali i tij ishte në kërkim dhe duke hedhur akuza për trajtim të padrejtë nga ana e strukturave policore.
Lini një Përgjigje