Policia e Tiranës ka arrestuar 2 persona, pasi furnizonin grupe kriminale me armë zjarri.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë, teksa lëviznin me automjet në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”, Arbër Hasa, 19- vjeç dhe Oldi Peca, 20- vjeç, të dy banues në Vorë.
Atyre iu gjetën 4 armë zjarri pistoleta, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, pas modifikimit me silenciatorë. Në momentin e arrestimit, në automjet u gjet dhe 1 mjet prerës (thikë).
Armët dyshohet se merreshin nga Kosova, ndërsa dy të rinjtë dyshohet se kanë trafikuar armë edhe herë të tjera. Deri tani nuk rezulton të kenë lidhje me persona tjerë të arrestuar më herët për trafik armësh Kosovë-Shqipëri, megjithatë hetimet në vijim nga Antitrafiku i Tiranës pritet të hedhin dritë për më shumë detaje.
Mësohet se pistoletat shiteshin më pas te grupet kriminale me çmimet varionin nga 2 mijë deri në 3 mijë euro për copë.
'Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shokut të të arrestuarve, shtetasit G. Sh., 49 vjeç. Në këtë ambient u gjetën 1 dorezë metalike dhe 1 shkop gome. Për posedim të kundërligjshëm të këtyre sendeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje